Ka përfunduar takimi i kryedemokratit Lulzim Basha me kryetarët e degëve të PD-së në të gjithë vendin, të cilëve iu ka shpjeguar sot vendimin e marrë për ish-kryeministrin Sali Berisha të cilin e largoi nga grupi parlamentar.
Mësohet se Basha ka kërkuar që kryetarët e degëve të kishin celularët e tyre të fikur me qëllim shmangien e çdo mundësie që informacionet të rrjedhin në media. Duket se Basha ka përmendur si argumente për përjashtimin e Berishës edhe prova që dyshohet se mund ti kenë ardhur më herët nga amerikanët.
Edhe gjatë mbledhjes me deputetët, Basha kishte thënë se ai e kishin marrë vendimin për përjashtimin e Berishës për sigurinë e tij dhe të familjes së këtij të fundit.
I vetmi që pranoi të fliste për mediat pas mbledhjes ishte kreu i PD-së në Durrës Ferdinand Xhaferraj i cili tha se vendimi i Bashës ishte i vështirë, por është marrë duke marrë parasysh të ardhmen e PD.