Gjatë muajve të fundit, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan është dukur gjithnjë e më i dëshpëruar. Ai e ka shtuar represionin ndaj kritikëve dhe kundërshtarëve politik, duke përfshirë së fundmi edhe Metin Gurcan, një anëtar themelues i Partisë për Demokraci dhe Progres (DEVA) në opozitë, që u arrestua në nëntorin e vitit të shkuar me akuzën e spiunazhit.

Po ashtu ai ka kërcënuar se do të dëbojë diplomatë amerikanë dhe të vendeve aleate të NATO-s. Dhe ndërsa popullariteti i tij ka rënë ndjeshëm, Erdogan ka nisur një eksperiment të rrezikshëm duke ulur normat e interesit në mesin e një inflacioni tashmë shumë të lartë, një politikë që e ka zhytur vendin në një krizë të rëndë ekonomike.

Ndërkohë, presidenti po përballet me një opozitë të guximshme, dhe gjithnjë e më të bashkuar, e cila përbën për herë të parë një kërcënim të drejtpërdrejtë për sundimin e tij. Ndryshimi i situatës ka qenë dramatik.

Gjatë pjesës dërrmuese të dy dekadave të fundit, fillimisht si kryeministër midis viteve 2003- 2014, dhe më pas si president që nga viti 2014, Erdogan është dukur si i pathyeshëm. Pasi solli një zhvillim të vrullshëm për shtresën e mesme turke, ai e ka udhëhequr vazhdimisht Partinë e tij për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) drejt fitores.

Ai ka përballuar luftërat në kufirin turk dhe në vitin 2016 një tentativë për grusht shteti. Duke e cilësuar veten si një sulltan të ri, ai ka fituar një kontroll total mbi gjyqësorin, median, policinë dhe institucionet e tjera të shtetit dhe shoqërisë civile, ndërsa ka goditur në mënyrë të pamëshirshme kundërshtarët politikë.

E megjithatë vitet e fundit, populizmi autoritar i Erdoganit e ka humbur magjinë e tij. Që nga përpjekja për grusht shteti, qeveria e tij është bërë gjithnjë e më shumë paranojake, duke ndjekur penalisht jo vetëm komplotistët e dyshuar të grushtit të shtetit, por edhe anëtarët e opozitës demokratike.

Ai ka arrestuar dhjetëra mijëra njerëz, dhe ka detyruar më shumë se 150.000 akademikë, gazetarë dhe nëpunësitë tjerë të braktisin punën e tyre, qoftë edhe për shkak të dyshimeve për lidhje me grushtin e shtetit, apo vetëm sepse e kundërshtojnë Erdoganin.

Dhe gatishmëria e tij në rritje për të ndërhyrë në zgjedhje – përfshirë një përpjekje të dështuar për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve lokale në Stamboll në vitin 2019 -e ka forcuar shumë opozitën. Tani që mbështetja ndaj tij është në rënie të lirë, lideri i demokracisë më të vjetër dhe ekonomisë më të madhe midis Italisë dhe Indisë përballet me një betejë të madhe.

Pas 18 muajsh, Turqia do të mbajë zgjedhjet presidencialet,të cilat Erdogan nuk ka shumë gjasa t’i fitojë. Dhe për shkak të trashëgimisë së tij të gjatë të korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin, nëse rrëzohet nga pushteti mund të ndiqet penalisht.

Ndaj Erdogan do të përpiqet të bëjë gjithçka që ka në dorë për të vazhduar qëndrimi në detyrë, përfshirë edhe manipulimin e zgjedhjeve, mosnjohjen e humbjes, apo edhe nxitjen e një kryengritjeje të ngjashme me atë që ndodhi në Uashington më 6 janar 2021.

Pra sfida urgjente me të cilën përballet Turqia, është se si të realizohet një transferim pushteti, që nuk kërcënon themelet e vetë demokracisë turke, dhe që potencialisht do të dërgonte valë tronditëse destabiliteti përtej kufijve të vendit, në Evropë dhe Lindjen e Mesme.

Ashtu si në Shtetet e Bashkuara, një sulm i tillë ndaj sistemit zgjedhor turk do të ishte i paprecedentë. Por ky skenar duket i besueshëm, duke pasur parasysh vullnetin e mëparshëm të Erdogan për të minuar institucionet demokratike në Turqi, mendësinë e atyre që e rrethojnë aktualisht, dhe vendosmërinë e tij për të mbajtur pushtetin.

Që nga viti 2018, Erdogan është bërë gjithnjë e më i izoluar në procesin e vendimmarrjes, me një klikë egoiste brenda pallatit presidencial, e cila ka larguar të gjithë elementët më profesionistë të qeverisë dhe rrjetin e gjerë politik ku mbështetej dikur presidenti turk.

Janë këta këshilltarë që e nxitën Erdoganin të mos njihte në fillim rezultatet e zgjedhjeve lokale në Stamboll, dhe nëse humb prapë, ai mund të bëjnë të njëjtën gjë, këtë herë në nivel kombëtar.

Në vitin 2019 Erdogan u përball me një protestë të madhe, ku me qindra mijëra mbështetës të opozitës mbushën rrugët dhe sheshet e qyteteve kryesore të Turqisë. Por ai mund të përdorë policinë – një forcë moderne, e mirë-armatosur me mbi 300.000 forca që përgjigjen direkt para tij – duke nxitur një shtypje tëre të opozitës.

Ai do t’i shpallte menjëherë të paligjshme të gjitha protestat, do të arrestonte organizatorët kryesorë të protestës, do të mbyllte mediat sociale, dhe ndoshta do të shpallte gjendjen e shtetrrethimit, e pasuar nga vendosja e mundshme e gjendjes së jashtëzakonshme, si ajo që vendosi pas grushtit të shtetit të vitit 2016. Ndërkohë grupimet pro-Erdogan mund të kryejnë akte dhunë kundër protestuesve, duke pasur mbështetjen e heshtur të policisë.

Që kur vendi ka kaluar në një sistem sistemin presidencial, ka pasur një valë shqetësuese dhune ndaj liderëve të opozitës dhe analistëve të medias, përfshirë një sulm ndaj kreut të CHP Kemal Kilicdaroglu nga një turmë pro-Erdogan në prill të vitit 2019, përpara balotazhit për kreun e bashkisë së Stambollit.

Një fitore e policisë së Erdogan, do t’i jepte de fakto fund demokracisë në Turqi. Por lëvizja për të anuluar rezultatin e zgjedhjeve, nuk është mënyra e vetme e reagimit të Erdogan.

Një skenar i dytë, është që ai dhe këshilltarët e tij mund të përpiqen të manipulojnë zgjedhjet. Nëse e bën këtë, ka shumë të ngjarë të dështojë.

Dhe në këtë drejtim, përvoja e Stambollit në vitin 2019 është shumë domethënëse. Kur Erdogan anuloi rezultatin e votimit të parë, opozita organizoi një fushatë mjeshtërore me moton “mbro votën” për balotazhin, duke rekrutuar rreth 100.000 vullnetarë për të monitoruar qendrat e votimit, për të dokumentuar numërimin e votave përmes smartfonëve,dhe madje për ta kaluar natën duke fjetur mbi kutitë e votimit për të parandaluar manipulimet.

Në Turqi, qytetarët lejohen me ligj që të vëzhgojnë numërimin e votave. Çdo përpjekje e Erdoganit për të ndërhyrë në zgjedhjet e vitit 2023 do të dokumentohet, duke shkaktuar një reagim të menjëhershëm popullor, madje edhe midis atyre që votuan për të.

Në këto kushte, rezultati më i mundshëm, do të ishte ose protesta të mëdha, në të cilat policia dhe opozita do të përfshiheshin edhe një herë në një garë për të marrë kontrollin e rrugëve të Turqisë, ose nëse ndërhyrja zbulohet herët dhe vota mbrohet me sukses, një fitore për opozitën.

Por Erdogan dhe forcat nën kontrollin e tij mund të refuzojnë ende të pranojnë rezultatin, dhe këtu do të lindte pyetja e vështirë se si të sigurohet një transferim paqësor dhe i qetë i pushtetit. Duke pasur parasysh mundësinë e ndërhyrjes destabilizuese të Erdoganit dhe mbështetësve të tij në zgjedhjet presidenciale, një strategji më e mirë për opozitën do të ishte të kërkonte një pazar të madh me të për ta lënë detyrën me vullnetin e tij.

Në fakt, opozita ka këtu në dorë një mekanizëm të rëndësishëm. Sepse, përveç humbjes së pushtetit, Erdogan përballet me perspektivën e mundshme të ndjekjes penale për korrupsion, për vdekjen e dhjetëra njerëzve në duart e policisë, dhe vuajtjet e shumë të tjerëve që janë abuzuar nga qeveria e tij.

Edhe anëtarët e familjes së tij janë përfshirë gjithashtu në skandale korrupsioni dhe mund të akuzohen. Ndaj nëse humbet zgjedhjet, ka një perspektivë reale që Erdogan t’i kalojë vitet e tij të fundit të jetës, i mbyllur në një burg turk ose në mërgim. Në këto kushte, opozita mund ta bindte atë të tërhiqej në këmbim të mëshirës për të dhe familjen e tij, duke pasur për pasojë një tranzicion të qetë të pushtetit.

Po ky pazar do të jetë i vështirë të arrihet. Shumë grupime opozitare në të majtë do të ngurojnë të mbështesin një amnisti të çfarëdollojshme. Dhe vetë Erdogan mund të mos e pranojë këtë propozim. Shumë nga mbështetësit e tij refuzojnë çdo dialog me opozitën.

Një alternativë është që Forcat e Armatosura Turke, institucioni tradicionalisht më i respektuar në vend, të veprojnë si garante të një marrëveshjeje Erdogan-opozitë. Duke pasur parasysh historinë e ndërhyrjeve ushtarake të Turqisë – përfshirë grushtin e shtetit të vitit 1980 -mund të mos jetë një ide e mirë që të ftohen gjeneralët në politikë.

Por ushtria turke është një nga institucionet e vetme të mbetura të vendit, teke cila bashkohen turqit pro dhe anti-Erdogan. Si aleatë të Turqisë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian mund të ndihmojë gjithashtu një transferim të shpejtë të pushtetit, dhe të kërcënojë me sanksione ndaj individëve që kërkojnë ta minojnë atë.

Një strategji e tillë nuk është e garantuar se do të funksionojë, sidomos nëse ushtria tundohet të ri-përfshihet nën udhëheqjen politike të vendit. Por mund të jetë opsioni më i mirë i disponueshëm për të parandaluar një kolaps më të gjerë dhe të menjëhershëm të demokracisë turke.