34 emigrantë rezultojnë të zhdukur pas përmbytjes së një varke në brigjet e Tunizisë të premten. Varka, e cila u nis të enjten nga rajoni Sfax për në bregdetin italian, mbante 38 persona. Fauzi Mashmoudi njoftoi se katër nga pasagjerët u shpëtuan.
Sipas tij, të gjithë emigrantët në bordin e varkës ishin shtetas të vendeve të Afrikës Sub-Sahariane, një komunitet i shënjestruar nga presidenti tunizian Kais Sagitt disa javë më parë. Organizata joqeveritare Alarm Phone, paralajmëroi se 40 persona rrezikojnë të mbyten në Mesdheun qendror.
Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni bënë thirrje për mbështetje për Tunizinë, e cila po përballet me një krizë të rëndë ekonomike, në mënyrë që të ndalet fluksi i emigrantëve në Europë.
Tunizia ka negociuar një hua prej rreth 2 miliardë dollarësh nga FMN për disa muaj, por bisedimet duket se kanë ngecur pas marrëveshjes në parim të shpallur në mes të tetorit.
Kreu i diplomacisë europiane, Josep Borrell vlerësoi të hënën se situata në Tunizi është “shumë e rrezikshme” dhe madje foli për një rrezik “kolapsi” të shtetit që do të çonte në një fluks masiv të emigrantëve drejt vendeve të BE-së dhe destabilitet në rajonin e Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut”.
Megjithatë një deklaratë e tillë u hodh poshtë menjëherë nga autoritetët në Tunizi, duke e quajtur si “disproporcionale.