Këtë të mërkurë janë dorëzuar aplikimet e para të kandidatëve të cilët duan të bëhen pjesë e Prokurorisë së Posaçme në SPAK.
ABC News mëson se kandidaturën e parë e ka dorëzuar prokurori Albert Kuliçi e pas tij edhe prokurori Olsi Dado.
Ndërkaq, prokurori Kreshnik Ajazi bëhet aplikanti i tretë deri tani për postin e ngritjes në detyrë në Prokurorinë e Posaçme pranë SPAK.
Albert Kuliçi ka qenë prokuror në Vlorë, ndërsa aktualisht është prokuror në Tiranë. Në vitin 2019 Kuliçit iu vendos eksploziv në makinë. Në atë kohë ai hetonte tjetërsimin e pronave në Karaburun e Zvërnec.
Olsi Dado ka punuar në sektorin privat dhe si noter, përpara se të emërohej prokuror në Prokurorinë e Pogradecit në vitin 2008. Në vitin 2010 ai u transferua në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ndërsa prej vitit 2020 u komandua në Prokurorinë e Përgjithshme si ndihmës magjistrat, transferim që u ndërpre më 6 mars, për të filluar një komandim të ri në SPAK.
Afati i fundit për aplikime për tre vende vakante në SPAK është dita e hënë, 16 tetor 2023. /