Mbështetës të ish-kryeministrit Sali Berisha janë mbledhur pasditen e së hënës përpara Selisë Blu nga ku do të marshojnë më pas drejt Kryeministrisë në protestën e paralajmëruar kundër vizitës së presidentit serb Aleksander Vuçiç në Tiranë.
Pamjet nga PD tregojnë grupin e njerëzve të mbledhur që në orën 16.00 pritet të nisen drejt Kryeministrisë. Ndërkohë mbështetësit e Sali Berishës kanë lënë një pankartë në hyrjen e selisë blu me mesazh ndaj SHBA-së “Mbahu Vietnam, kujdes spiunët” duke ironizuar parullat në kohën që Shqipëria ishte nën diktaturë, e rreshtuar me Lindjen kundër amerikanëve, që ishin në luftë në Vietnam.
Protesta e ditës së sotme, të cilën Berisha e ka cilësuar si historike, thuhet se mbahet në mbrojtje të interesit dhe pasurisë kombëtare. Pritet që gjatë këtij organizimi, folës të jenë Aldo Bumçi, Melihate Termkolli, Bujar Nishani, Albana Vokshi, Belind Këlliçi, Edith Harxhi, Megi Balliu, Ylli Manjani dhe Sali Berisha.
Kujtojmë se të martën mbërrin në Tiranë presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri i Maqedonisë se Veriut Zoran Zaev, në kuadër të iniciativës rajonale “Open Balkan”.
Nga ana tjetër, Berisha në një postim në llogarinë e tij në Facebook të bërë më herët gjatë së hënës radhiti katër arsye se përse qytetarët, sipas tij, duhet të marrin pjesë në protestën e sotme.
SALI BERISHA NË FACEBOOK:
“-Vucic eshte minister i Milloshevicit. Ai akoma nuk ka kerkuar falje per krimet e kryera ndaj shqiptareve nga Serbia dhe vazhdon te ndjek politiken e shefit te tij!
– Ballkani i Hapur eshte projekt qe e rrit dhe forcon Serbine dhe planet e Serbise se Madhe andaj nuk duhet lejuar asesi qe te konkretizohet!
-Edi Rama po behet pjese e ketyre agjendave dhe eshte bere nje kukull e Vucicit, andaj duhet ta ndalim para se te behet vone.
-Kosova ka akoma plage te hapura per te cilat Vucic eshte nga pergjegjesit kryesor. Pervec kesaj, ai edhe mohon krimet, masakrat dhe gjenocidin e kryer ndaj shqiptareve te Kosoves ne lufte, andaj nuk eshte i denje qe te pritet ne Tirane e aq me pak qe te bashkepunohet me te.” /abcnews.al/