Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, tejkaloi kritikat për përdorimin e gazit lotsjellës, duke përgëzuar policinë për mënyrën si veproi gjatë dhe pas protestës së 8 janarit tek selia e PD. Në fjalën e mbajtur për 109-vjetorin e policisë, Çuçi tha se forcat e rendit treguan maturi. Nga ana tjetër drejtori i Përgjithshëm, Gledis Nano, vlerësoi të rënët dhe tha se në këtë përvjetor policia vjen si një partner që gëzon besimin e qytetarëve.

Pamjet në video dhe të tjera skena të hedhjes së gazit ndaj protestuesve tek selia e PD dhe jashtë saj me 8 janar kanë marrë përgëzimin e ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi.

“Dëshmi e qartë e kësaj është dhe menaxhimi i ngjarjes se fundit ku policia tregoi me profesionalizëm të lartë, pjekuri dhe maturi për t’u admiruar”. 

Në 109-vjetorin e Policisë së Shtetit, kreu i Ministrisë së Brendshme bëri edhe komentin e tij politik në lidhje me përplasjen mes dy grupeve të opozitës.

“Një situatë e pangjashme në botën e qytetëruar, absurde për nga arsyeja, primitive për nga mënyra dhe brutale për nga realizimi. Një situatë ku ishte e vështirë të ndaje kufirin se ku mbaronte e drejta për të protestuar, ku mbaronte e drejta për të ushtruar lirisht aktivitetin politik, dhe detyrimin për të parandaluar e shmangur çdo pasojë kriminale kundër personave apo pronës. Dhe me krenari e them që policia tregoi dhe dëshmoi që ka një nivel të lartë profesionalizmi”.

Drejtori i Përgjithshëm, Gledis Nano, në fjalën e tij në përvjetorin e policisë vlerësoi bashkëpunimin dhe besimin me qytetarët si elementin kyç.

“Sot kemi një Polici më të arsimuar, më të trajnuar, të mirëpajisur me logjistikë dhe në një moshë më të re, por mbi të gjitha me mentalitet e filozofi në të mirë ndaj qytetarëve dhe të ardhmes së vendit. Policia e Shtetit në këtë 109-vjetor vjen e motivuar nga besimi i qytetarëve, të cilët besojnë dhe mbështesin Policinë e tyre duke bashkëpunuar mes njëri-tjetrit për të krijuar një ambient social më të sigurt për fëmijët tanë”.

Duke u përulur para dëshmorëve të policisë, Nano kujtoi se dekadën e fundit strukturat e rendit kanë numrin më të lartë të të rënëve në krye të detyrës.

Historia 109-vjeçare e tregon qartë sakrificën e punonjësve të Policisë, pasi gjatë këtij rrugëtimi, Policia e Shtetit shënon edhe numrin më të lartë të të rënëve në krye të detyrës.

“Në një datë si kjo, kur jo vetëm Policia e Shtetit, por mbarë vendi nderon rolin dhe kontributin e kësaj strukture të rëndësishme që synon e përpiqet të garantojë normalitetin në vijimësinë e jetës dhe veprimtarisë shoqërore, të gjithë përulemi para jetës dhe veprës së atyre që arritën të shmangnin apo të zvogëlonin pasojat e tragjedive në shoqërinë tonë”.

Ministri i Brendshëm tha se këtë vit në buxhetin e policisë është 5-fishuar fondi për investimet në teknologji dhe trajtim financiar për ata efektivë që punojnë larg familjes.