Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, ka mbështetur bojkotimin e opozitës në lidhje me procesin e zgjedhjes së Presidentit.

Gjekmarkaj tha se Partia Socialiste ka tendencë që të nxisë sa më shumë sherrnajat e brendshme brenda PD, teksa shtoi se PS tentoi të kishte opozitën pjesë të procesit, për të shkuar drejt ideve të veta.

Më tej ai u shpreh se kryeministri Edi Rama nuk e ka “patur seriozisht përfshirjen e opozitës në process”, por ka dashur vetëm të bëjë “skeptakël, show” dhe ja ka dalë pasi sipas tij opozita vetë i’a ka ofruar këtë gjë.

“Ka resurse njerëzore dhe politike që mund ti shërbejnë vendit, duhet ti merret leje personit që do i përdoret emri sepse do të digjej dhe krijohet një gjendje krahasimi. Opozita mund të kishte nxjerrë emra të tillë por tendenca është të shtohet sa më shumë sherrnaja e brendshme e opozitës. Ai grup që është mbledhur sot ka marrë vendimin e duhur për të bojkotuar këtë lloj farse. Maxhoranca tentoi të kishte opozitën pjesë të procesit, për të shkuar drejt ideve të veta”, tha Gjekmarkaj.