Gjasat janë që edhe raundi i tretë për zgjedhjet e Presidentit të ri të Republikës të “digjet” sërish pa asnjë kandidat të propozuar. As Komisioni i Rithemelimit nuk do të propozojë kandidatë përmes aleatëve, me të cilët janë në bisedime. Këtë e bëri të ditur Arben Ristani, i ftuar pasditen e së enjtes në “Radari Informativ” në ABC.

Sipas anëtarit të “Rithemelimit”, PD kërkon që fillimisht të bëhen bisedime politike e më pas të dilet me kandidatura. Kurse, sa i përket veprimeve të ndërmarra deri më tani nga Enkelejd Alibeaj, Ristani përsëriti edhe një herë se ai përfaqëson vetëm veten dhe jo demokratët.

“PD ka bërë të qartë një qëndrim publik, që i jepet Komisionit tagrin të merret me negociata. Kushdo që hyn në këto negociata, përfaqëson vetveten. Mazhoranca luajti, bëri një teatër…”

Kurse, i pyetur për kundërshtimin që i bëri Sali Berisha propozimit të Enkelejd Alibeajt për zonën e 13-të zgjedhore, Ristani sqaroi se problemi qëndronte tek tagri që Alibeaj s’e ka dhe jo te propozimi në vetvete.

“Për ndryshime të tilla, si ndryshimi i kodeve si ai zgjedhor. Janë ndryshime, reforma që bëhen me biseda politike, me palë. Në momentin që nuk përfaqëson opozitën. A bëhet kjo apo jo? Zgjidhjet janë të shumëllojshme, dhe kemi nevojë që t’u japim mundësi emigrantëve të votojnë…është vetëm çështja e përfaqësimit, ata nuk kanë tagër.”