Varianti Omicron i koronavirusit mund të ulë presionin ndaj sistemit shëndetësor

Kështu deklaroi të dielën, kryetari i Shoqatës së Mjekëve në Gjermani, Michael Weber.

Ai tha se koronavirusi nuk do të ishte kërcënim për sistemin shëndetësor, nëse Omicroni bëhet variant dominues në Gjermani, ashtu siç është bërë në Afrikën e Jugut, Britani apo Danimarkë, dhe nëse infektimet janë të lehta, sikurse në këto shtete.

“Ka një probabilitet real që pandemia të bëhet endemike në këtë shtet”, tha Weber për gazetën Welt am Sonntag.

Ndërsa Omicroni po përhapet në Gjermani, në ditët e fundit janë rritur edhe rastet e reja. Por, po ashtu është rritur edhe numri i pacientëve të shtruar në repartet e kujdesit intensiv.

Ministri gjerman i Shëndetësisë, Karl Lauterbach, ka shprehur optimizmin se Omicroni duket se është më pak i rrezikshëm se variantet e meparshme, por ai ka theksuar se ky variant ende vazhdon të paraqesë rrezik për personat e moshuar dhe për të pavaksinuarit.

“Vaksinimi i parë në mënyrë drastike ul rrezikun e vdekjes pas vetëm 14 ditësh. U bëj thirrje njerëzve që të vaksinohen”, tha Lauterbach për gazetën Bild am Sonntag.

Varianti shumë ngjitës, Omicron ka shkaktuar rritje të rasteve në mbarë botën. Infektimet në mbarë botën kanë shënuar rekord të ri, me një mesatare mbi një milion raste të detektuara çdo ditë në periudhën 24-30 dhjetor, thuhet në të dhënat e Reuters. Por, numri i vdekjeve në këtë periudhë nuk është rritur, duke rritur shpresat se Omicroni është më pak vdekjeprurës.

Të dielën, Gjermania raportoi 12,515 infektime të reja dhe 45 viktima. Numri i përgjithshëm i viktimave që prej fillimit të pandemisë në këtë shtet ka arritur në 112,155.

Lauterbach tha po ashtu se mbajtja e maskave është e rëndësishme.

“Ngarkesa virale e personave të infektuar me Omicron është më e ulët, prandaj maskat janë më efektive. Të gjithë duhet të mbajnë maska kur takojnë perona të tjerë”, tha Lauterbach./REL