Aplikacioni photo-sharing Poparazzi u publikua ditën e hënë dhe arriti menjëherë në majat e App Store (nuk është shfaqur ende në Play Store).

Mirëpo çfarë është ky aplikacion?

Paparazzi është një photo-sharing app që inkurajon përdoruesit të shpërndajnë foto të miqve të tyre. E veçanta e këtij rrjeti social është se nuk lejon përdorimin e kameras selfie, pra ju nuk mund të publikoni foto selfie tuajën. Në vend të kësaj ju duhet të shkrepni foto të miqve tuaj dhe t’i tag-oni ato, duke u shndërruar në një paparac.

Më pas kur ju të klikoni në profilin e një përdoruesi, në të do të gjeni vetëm fotografi të shkrepura nga shokët e tij. Përdoruesit kanë mundësinë e kufizimit të personave që mund të publikojnë një foto të tyren.

“Ne krijuam Poparazzi për të larguar presionin që ne kemi për të qenë perfekt në çdo foto.” shkruajti kompania në një Medium post gjatë prezantimit të produktit. “Për të arritur qëllimin tonë ne e bëmë të pamundur që ju të publikoni fotot tuaja, pra ju do të jeni paparacët e miqve tuaj dhe ata do të jenë paparacët tuaj.”

Në një mënyrë, Poparazzi është mjaft i ngjashëm me Dispo në mënyrën e promovimit të imazheve të pakuruara, ndryshe nga bota “perfekte” e Instagram.

Meqë gjithnjë e më tepër njerëz po vaksinohen kundër COVID-19, Poparazzi do të jetë aplikacioni i duhur për sezonin e nxehtë të verës.