Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rrëzuar kërkesën e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezit për revokimin e masës ‘arrest në shtëpi’, vendosur për çështjen e privatizimit të ish-klubit sportiv “Partizani”.
Në seancën e sotme, prokurorët e SPAK kanë paraqitur pretendimin se Berisha ka shkelur masën e sigurisë ‘arrest në shtëpi’ duke futur në banesë dhe kontaktuar me ish-eurodeputetin Elmar Brok dhe gazetarët italianë të RAI-t.
Ndërkohë, avokati i Berishës Genc Gjokutaj u shpreh pas seancës se kjo është lajthitje, pasi masa e sigurisë ndaj Berishës, nuk ndikon në aktivitetin e tij.
“Berisha ka që në 30 dhjetor në arrest në shtëpi. Kjo është lajthitje e SPAK dhe Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Vendimi është i tillë që arresti në shtëpi nuk afekton aktivitetin e liderit të opozitës” ,tha Gjokutaj.
Po ashtu, GJKKO nuk pranoi kërkesën për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka.