Kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu, ka reaguar përmes avokatit të tij për rihapjen e hetimeve nga Apeli i Posaçëm për çështjen Gërdeci.

Avokati Ardian Visha shprehet se vendimi i dhënë sot është antikushtetues dhe i pavlefshëm, pasi për këtë çështje është shprehur më herët Gjykata e Lartë.

Visha deklaron se vendimi i dhënë sot cënon hapur parimin e sigurisë juridike, dhe shprehet se do të ndiqen të gjitha hapat ligjore për shpalljen e tij të pavlefshëm.

DEKLARATA E PLOTË: 

Ne cilesine e perfaqesuesit ligjor te z Fatmir Mediu shpreh sa me poshte: Vendimi i deklaruar ne media nga Gjyqtarja e Apelit te Posacem, perben nje akt jo Kushtetues dhe pluri-shkeles të Konventes Europiane Per te Drejtat e Njeriut dhe nje sere ligjesh te tjera te vendit..

Ai(vendimi) perben nje pavlefshmeri absolute e ne cdo rast baza motivuese e tij nuk mund te jetë kurre ligji.

Eshte hera e pare ne jurisprudence kur nje gjyqtare e nje gjykate te nivelit me te ulet prish vendimin e Gjykates Larte!!

Vec të tjerave shkelja e ligjit është e dukshme , sepse e njejta ceshtje(kerkese) eshte shqyrtuar dhe hedhur poshte nga gjykata e shkalles pare dhe gjykata e apelit, Tirane në vitin 2019.

Ky vendim hapur cenon parimin e sigurise juridike, parimin e gjese se gjykuar, parimin e ligjit favorizues dhe per me teper synon procedimin per nje akuze afati parashkrues i se ciles ka kaluar me kohe.

Pasi te njihemi me “ arsyetimin” e ketij akti te paligjshem, do reagojmë me transparencë e me te gjitha mjetet ligjore të përshtatshme. Avokat Ardian Visha. 

Vendimi i Apelit u përshëndet sot nga familjarët e viktimave në Gërdec, të cilët e konsideruan një hap përpara për të vendosur drejtësi për 28 personat e vdekur nga shpërthimi në fabrikën e armëve, në kohën kur Fatmir Mediu ishte ministër i mbrojtjes.