Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, e quajti “historik” konfirmimin e dënimit me burgim të përjetshëm  nga gjykata e Kombeve të Bashkuara për ish-komandantin ushtarak serb të Bosnjë dhe Hercegovinës, Ratko Mlladiq.

Presidenti amerikan përmes një deklarate thotë se mendimet e tij janë me familjet e mbijetuara të shumë viktimave nga mizoritë e Mlladiqit.

“Shpresoj që gjykimi i sotëm të jetë një ngushëllim për të gjithë ata që janë të pikëlluar, edhe pse kurrë nuk mund të fshijmë tragjedinë e vdekjes së tyre”, thotë Biden.

“Ky gjykim historik tregon se ata që kryejnë krime të tmerrshme do të mbajnë përgjegjësi. Vendimi gjithashtu fuqizon vendosmërinë tonë të përbashkët për të parandaluar ndodhjen e mizorive të ardhshme kudo në botë”, thuhet deklaratë.

Më 8 qershor, Gjykatësit e Kombeve të Bashkuara e mbështetën dënimin me burgim të përjetshëm, të shkallës së parë, ndaj ish-shefit ushtarak serb, Ratko Mlladiq për organizimin e gjenocidit në Srebrenicë dhe mizorive të tjera gjatë gjithë luftës së Bosnjës më 1992-95.

Dhoma e Apelit e Mekanizimit Ndërkombëtar për Gjykatat Penale në Hagë, gjithashtu hodhi poshtë apelin e prokurorisë për të fajësuar, Ratko Mlladiqin, për gjenocid në gjashtë qytetet tjera të Bosnje dhe Hercegovinës.

Mekanizimi Ndërkombëtar për Gjykatat Penale në Hagë është një institucion pasardhës i Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë.

Vendimi i Apelit do të thotë që ish-gjenerali 79-vjeçar do të kalojë pjesën tjetër të jetës së tij në burg.

Në vitin 2017, Haga e ka dënuar Mlladiqin – në shkallë të parë – me burgim të përjetshëm, pasi është shpallur fajtor për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve të luftës.

Gjyqi kundër tij kishte filluar në vitin 2012 dhe ka zgjatur gjithsej 530 ditë.

Presidenti Biden, ka përmendur rolin e Shteteve të Bashkuara në përpjekjet ndërkombëtare për t’i dhënë fund mizorive në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe për të sjellë para drejtësisë ata që kryen krime aty dhe në pjesë të tjera të ish-Jugosllavisë.