Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e Genc Tafilit, i cili kërkonte lirinë.

Anëtari i Gjykatës së Lartë Ilir Panda ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit, e cila në maj të 2021-it vendosi rikthimin e tij në burg, për të vuajtur vitet e mbetura për vrasjen e kryekomisar Arben Zylyftarit.

Tafili u dënua me 25 vite burg, për vrasjen e Arben Zylyftarit, ish-kryepolicit të Shkodrës, ngjarje e ndodhur në gusht të vitit 2000. Edhe pse kishte për të bërë 25 vite burg, ai u lirua në 2017 nga Gjykata e Krujës, pasi kreu 17 vite burg nga gjykatësja e asaj kohe Enkelejda Hoxha, e cila vendosi lirim me kusht.

Vendimi i Hoxhës u ankimua dhe Gjykata e Apelit në maj të vitit 2021 dhe kërkoi që Genc Tafili të arrestohet dhe të dërgohet në qeli për të vuajtur vitet e mbetura të burgut. Ai u shpall nga autoritetet në kërkim ndërkombëtar dhe u arrestua 5 vite më vonë në Gjermani.

Operacioni ku u vra kryepolici Arben Zylyftari

Ishte data 2 gusht e vitit 2000. Forcat e policisë së Shkodrës me në krye Prelë Pjetrushin vihen në gjurmët e Bahri Tafilit, person i shpallur në kërkim për në vrasje për çështje pronësie. I kërkuari mbyllet në banesë së bashku me Genci Tafilin dhe nga aty nisin rezistencën me armë kundër policisë.

Pjetrushi kërkon përforcimi dhe në krye të forcave të ndërhyrjes së shpejtë u vendos vetë Arben Zylyftari. Gjatë shkëmbimit të zjarrit, Zylyftari mori një plumb në gjoks dhe më pas ndërroi jetë në Spitalin e Shkodrës.

Policia iu kundërpërgjigj, ku i vrarë mbeti Bahri Tafili, ndërsa u arrestua djali i tij, Genci Tafili. Në kërkim u shpall edhe Admir Tafili. Ky i fundit u betua për hakmarrje dhe fajësonte për vrasjen e të atit Prelë Pjetrushin. Ndaj këtij të fundit disa vite më vonë u ndërmor një sulm, ku mbeti i plagosur rëndë. Pjetrushi më vonë largohet nga Shqipëria, ndërsa Admir Tafili i vret dy vëllezërit, Nik dhe Gjovalin Pjetrushi.

Për këtë krim ai u arrestua dhe dënua me burg përjetë dhe vijon e vuan dënimin në burgun e Drenovës. Kimete Tafili, bashkëshortja e Bahri Tafilit dhe e ëma e Admir e Genci Tafilit, në vitin 2010 është shprehur se i shoqi është vrarë pasi u dorëzua dhe i prangosur nga Prelë Pjetrushi dhe se autorët e vërtetë të vrasjes së Arben Zylyftarit janë të lirë.