Gjykata e Tiranës ka pranuar masën e sigurisë arrest me burg të kërkuar nga prokuroria për dy vëllezërit Fredi dhe Pajtim Rrushi.
Mësohet se vëllezërit kanë kyçur gojën në gjykatë dhe nuk kanë dhënë asnjë sqarim.
Ata akuzohen për vrasjen e biznesmenit Ruzhdi Hoxha, që ka ndodhur mes natës së 21 dhe 22 Tetorit, trupi i të cilit u gjet në zonën e Dajtit fundjavën që lamë pas, rreth dy javë pas zhdukjes.
Ndaj Fredi Rrushit, i cili sipas prokurorisë është personi i fundit që ka takuar viktimën pas zhdukjes dhe se ai dyshohet si autori kryesor i ngjarjes, prokuroria ka ngritur akuzat për “Vrasje me paramendim” “Kultivim i bimëve narkotike” dhe “Fshehja e kufomës”.
Ndërsa për vëllanë e tij janë ngritur akuzat e “Veprimeve që pengojne zbulimin e te vërtetës” dhe “ Fshehje ose asgjësim i kufomës“. Prokuroria dyshon se Pajtimi është bashkëpunëtor në ngjarje.
Referuar hetimeve të deritanshme rezulton se ai nuk ka treguar ende se ku u zhduk mjeti Passat , me të cilin udhëtoi Hoxha, nga zona e treshit deri më Qafë Mollë, ku edhe u ekzekutuar. Mjeti tip “Pasat” qe ka përdorur Fredi Rrushi, në vrasjen e 43-vjeçarit nuk është gjendur ende, ndërkohë hetuesit nuk kanë gjetur ende as armën e krimit tip psitoletë me te cilën u ekzekutua biznesmeni i inerteve.
Ndërkohë, prokuriria e Tiranës nuk ka asnjë motiv për krimin e rëndë, alibitë janë të shumta, duke filluar nga prishja e pazareve të drogës, borxhet e vjetra, porositë e pambaruara, por nuk përjashtohet as pista se vrasja mund të jetë kryer për motiveve të dobëta.