Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), të premten, më 24 qershor, shpalli vendimin, i cili i dha fund të drejtës gjysmëshekullore të abortit, raportoi AP.
Një gjykatë e dominuar nga konservatorët rrëzoi vendimin “Roe kundër Ëade” të vitit 1973, që garantonte këtë të drejtë.
Gjashtë gjyqtarë votuan “për” dhe tre “kundër
Gjykata tha se aborti nuk është i ndaluar, por tani disa shtete, vetë mund të lejojnë ose kufizojnë abortin.
“Kushtetuta nuk e jep të drejtën e abortit. Roe dhe Casey u anuluan, ndërkaq pushteti për të rregulluar abortin iu kthye popullit dhe përfaqësuesve të tyre të zgjedhur”, thuhet në një pjesë të vendimit të shpallur nga gjykata.
Gjykatësi Clarence Thomas – i cili konsiderohet anëtari më konservator i Gjykatës Supreme – shkroi një opinion shtesë duke votuar në favor të revokimit të së drejtës për abort.
Thomas shkon më tej dhe i kërkon gjykatës të “rishqyrtojë” tri vendime të mëparshme të Gjykatës Supreme.
Ai po kërkon një rishikim të çështjes “Grisëold”, e cila mbron të drejtën për kontracepsion, ligjit “Laërence”, i cili shfuqizoi ligjet kundër sodomisë dhe ligjit “Obergefell”, i cili legalizoi martesat e të njëjtit seks në të gjithë vendin.
Në çështjen “Roe kundër Ëade” në vitin 1973, Gjykata Supreme vendosi me shtatë vota “për” dhe dy “kundër” se e drejta e gruas për abort mbrohej me Kushtetutën amerikane.
Ai vendim gjyqësor u dha grave amerikane të drejtën absolute për të abortuar në tre muajt e parë të shtatzënisë, por lejoi kufizime në tremujorin e dytë dhe ndalime në tremujorin e tretë.
Gjykata ka lejuar deri më tani shtetet federale të rregullojnë, por jo ta ndalojnë abortin.
Pritet që gjysma e shteteve amerikane të vendosin kufizime ose ndalime të reja dhe miliona gra në SHBA do ta humbin të drejtën e mëparshme ligjore, shkruan BBC.
Trembëdhjetë prej tyre kanë miratuar tashmë ligje që do të ndalojnë automatikisht abortin pas një vendimi të Gjykatës Supreme. Këto janë Arkansas, Idaho, Kentaki, Luiziana, Misisipi, Misuri, Dakota e Veriut, Dakota e Jugut, Tenesi, Utah, Teksas, Oklahoma dhe Ëyoming.
Shumë shtete të tjera të SHBA-së ka të ngjarë të vendosin kufizime të reja së shpejti.
Pak çaste pas vendimit, prokurori i shtetit i Misurit, Eric Schmitt, lëshoi një opinion duke iniciuar një ligj shtetëror kundër abortit, që ndalon procedurat, përveç në rastet urgjente.
Sipas hulumtimit të Planned Parenthood, organizatë shëndetësore që ofron aborte, në përgjithësi qasja për abort pritet të ndërpritet për rreth 36 milionë gra në moshë riprodhuese.
Përfaqësuesit e Partisë Demokratike u përpoqën të miratonin një ligj në Senatin amerikan dhe të zvogëlonin dëmin nëse Gjykata Supreme shfuqizon të drejtën e abortit, por ai u refuzua për shkak të kundërshtimit të përfaqësuesve të Partisë Republikane.
Vendimi i fundit i Gjykatës Supreme të SHBA-së u dha në çështjen “Dobbs kundër Jackson’s Ëomen’s Health Organization”, në të cilin një klinikë aborti në Misisipi kundërshtoi përpjekjet e shtetit për të ndaluar abortin pas 15 javësh shtatzëni.
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve dhe deputetja demokrate Nancy Pelosi e quajti vendimin e sotëm një “qëllim të errët dhe ekstrem të Partisë Republikane për t’i privuar gratë nga e drejta për të marrë vendimet e tyre për shëndetin riprodhues”.
Pelosi fajësoi “Donald Trumpin, Mitch McConnellin, Partinë Republikane dhe shumicën e saj në Gjykatën Supreme” se grave amerikane u kanë dhënë “më pak liri se nënave të tyre”.
Ish-zëvendëspresidenti i SHBA-së, Mike Pence, lavdëroi vendimin e sotëm, duke thënë se “jeta fitoi”.
“Kur kemi fituar këtë rast të dytë për jetën, nuk guxojmë të pushojmë dhe nuk guxojmë të dorëzohemi derisa shenjtëria e jetës të kthehet në qendër të ligjit amerikan, në çdo shtet të vendit”, theksoi ai.