Tashmë qytetarët mund të aplikojnë në aplikacionin e-Albania për t’u regjistruar për marrjen e vaskinës anti-Covid.

Më poshte gjendet manuali i cili shpjegon çfarë hapash duhet të ndjekin qytetarët, vështirësitë që mund të hasin, si dhe a ka kufizim në grupmosha.

Çfarë hapash duhet të ndjekë një qytetar për të aplikuar?

Aplikimi është shumë i thjeshtë. Identifikohesh në platformë si qytetar; Klikon shërbimin në krye të faqes “Kërkesë për vaksinim Covid-19″ dhe në moment plotësohet automatikisht nga databazat shtetërore çdo e dhënë e qytetarit dhe i vetmi veprim që i mbetet qytetarit është të shtypë butonin “Dërgo”, për të finalizuar kërkesën për vaksinim. Menjëherë në telefonin e tij, në numrin, që ka të regjistruar në e-Albania, qytetari pajisjet me një mesazh konfirmimi për aplikimin e dërguar, ku i bëhet e ditur se do të njoftohet me një sms në vijim ose do të kontaktohet nga mjeku i familjes për datën dhe vendin e vaksinimit. Kaq thjeshtë, me vetëm një veprim dhe kërkesa për vaksinim ndaj Covid-19 është dërguar!

Ky opsion është lehtësisht i aksesueshëm apo personat, që nuk janë përdorues të mirë të teknologjisë (kryesisht moshat e treta) mund të hasin vështirësi?

Shërbimi “Kërkesë për vaksinim Covid-19” është lehtësisht i aksesueshëm për të gjitha moshat, pa asnjë përjashtim, pasi të dhënat plotësohen automatikisht, ndaj qytetarit i mbetet vetëm të shtypë butonin: “Dërgo” dhe kaq thjesht, pa asnjë vështirësi, kërkesa për të bërë vaksinën është dërguar me sukses.

Megjithë skepticizmin që ekziston për përdorimin e e-Albania nga moshat e treta, shifrat tregojnë se ata jo vetëm e përdorin masivisht këtë platformë por janë tashmë familjarë me të. Janë dhjetra shërbime online të dedikuara për ta si: vërtetime pensionesh, vërtetim kontributesh, pagesa e dritave etj.

Në kërkesën për vaksinim mund të aplikojë çdo grupmoshë apo janë të përcaktuara moshat, që duhet të aplikojnë?

Të drejtën për të aplikuar online për “Kërkesë për vaksinim Covid-19” e kanë të gjithë qytetarët pa dallim moshe. Sa më parë të jetë e mundur, të gjithë do të kontaktohen nga autoritetet shëndetësore për të kryer me sukses vaksinimin.

(E.H/Faxweb.al)