Deputetja e Partisë Demokratike, Grida Duma ka deklaruar ditën e sotme se përjashtimi i ish-Kryeministrit Sali Berisha nga grupi parlamentar i PD-së është e keqja më e vogël për partinë e saj.

“Besimet mund të lidhen me individë, por vendimi për pezullimin e liderit historik ishte e keqja më e vogël, me idenë që Partia Demokratike të fuqizohet dhe të jetë një zë i fuqishëm qoftë dhe në qartësimin e fakteve që zoti Berisha po kërkon. Nëse do të hidhej në votim do të ishte shumë konfuze. A do të votonin ata për zotin Berisha? Patjetër që po“, u shpreh Duma.

Duke folur në rubrikën “Opinion, Grida Duma theksoi se demokratët nuk duhet të ndahen në të Bashës dhe në të Berishës, por duhet të jenë të bashkuar në mënyrë që të mos përfitojë Edi Rama.

“Shumë reflektive është. Nuk e gjykoj aksionin e zotit Berisha. Është një vednimarrje e tij. Nuk marr delirin të jap këshilla në këtë situatë. Nuk e imagjinoj dot t’i ndaj demokratët e Berishës dhe demokratët e Bashës. Duhet t’i thërrasim arsyes për të thënë se për të shkuar drejt fitores duhet qetësuar gjithçka.

Kemi një palë demokratë dhe jo dy. Toleranca e atyre njerëzve që hiqen nga puna, që vijnë në protesta, që ndiqen në gjyqe dhe as që nuk shiten e as nuk blihen, njerëz që kanë sakrifkuar për Partinë Demokratike nuk duhet harruar. Ne duhet të gjejmë të gjithë mënyrat për ta mbajtur PD-në të bashkuar,“, deklaroi Duma.