Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se nuk do të ketë asnjë hap pas për hartën e re gjyqësore pavarësisht bojkotit të avokatëve që ka hyrë në javën e dytë të tij.
“Habitem që ka akoma nga ata që besojnë se me qeverinë që unë drejtoj mund të flitet me gjuhën e bojkoteve. Ne këtu jemi. Kush ka diçka le të vijë e të flasë. Të bojkotojnë sat ë duan kjo nuk ndryshon. Shqipëria nuk mund të mbetet peng e të kaluarës së vet.
Shqipëria është një vend i vogël për të pasur zyra dhe institucione të panumërta. Harta është ajo e konsultuar gjatë. Kush i bie ndesh është në të drejtën e vet. Pengmarrja e qytetarëve për të bërë qeverinë të ndryshojë qëndrim është e pamoralshme, e shëmtuar dhe e padobishme. Nuk ka asnjë shans të ketë sukses”, tha Rama.
Ai foli edhe për përfaqësimin e Shqipërisë në tryezat ndërkombëtare. “Jam i vetëdijshëm që ne nuk jemi perfektë, bëjmë edhe gabime. Por nëse ka një gjë që nuk kam për ta ndryshuar kurrë është sensi i barabartësisë në çdo tryezë ku unë ulem në emër të Shqipërisë me këdo qoftë në atë tryezë. President i Francës apo Luksemburgut.
Shqipëria nuk është as Amerika dhe as Franca. Ka problemet e veta. Por dinjiteti i Francës nuk është më i rëndësishëm se i Shqipërisë. Kudo ku jam i pranishëm apo kudo ku kam radhën e fjalës askush nuk mban qëndrime që bie ndesh me interesin e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Unë nuk kam bërë luftë me BE. Kam thënë vetëm disa të vërteta që ju siguroj që janë dëgjuar me shumë respekt. Nëse nuk respekton veten nuk të respekton tjetri.
Shqipëria ka kaluar dekada të tëra e parespektuar fare. E respektuar thjesht formalisht. E konsiduar. Kjo nuk ndodh më. Ne pyetemi, ne dëgjohemi dhe mund të them këtë natyrisht është kënaqësi të dëgjosh presidentin e SHBA të flasë për rolin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit. Harta gjyqësore është ajo dhe nuk ndryshon”, deklaroi Rama.