Prej disa vitesh qarkullojnë raportime të ndryshme se Apple është gati të futet në tregun e realitetit virtual përmes një VR / AR headset. Më parë besohej se ky produkt do të ishte gati për t’u lançuar gjatë vitit 2022, mirëpo për shkak të disa problemeve në krijim ky headset mund të mos lançohet deri në vitin 2023.

Apple kishte planifikuar të prezantonte produktin gjatë Worldwide Developers Conference, por “problemet në zhvillimin e saj të lidhura me mbinxehjen, kamerat dhe software-in” e kanë bërë më të vështirë përmbushjen e këtij plani, sipas raportimit nga Bloomberg. Këto probleme tregojnë se prezantimi mund të ndodhë në fund të këtij viti, ose dhe më vonë, ndërkohë që produkti do të dalë në treg gjatë 2023.

Headset-i i parë nga Apple pritet të jetë shumë high-end dhe mund të kushtojë mbi $2,000. Në raportimin e Bloomberg përmendet se kjo pajisje do të ketë 2 proçesorë, ku njëri do të ketë një fuqi të barabartë me M1 Pro që gjendet në versionet e reja të MacBook Pro. Shërbime të tjera që mund të ofrohen në këtë headset janë ekrani 4K OLED dhe sensorët 3D për ndjekjen e lëvizjes së duarve të cilët do të bëjnë që çmimi i pajisjes të jetë i lartë.

Apple po punon dhe për AR Glasses, por përfundimi i tyre mund të jetë shumë larg, ndoshta më vonë gjatë kësaj dekade.