Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas miratimit të rezolutës së përbashkët nga Kuvendi kundër mbajtjes së referendumit të Serbisë në territorin e Kosovës.

Kurti ka deklaruar se qëndrimi i institucioneve të Republikës së Kosovës është qëndrim në mbrojtje të kushtetueshmërisë dhe ligjshmërisë së vendit.

“Falënderoj deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, për miratimin e rezolutës së përbashkët. Me 76 vota PËR dhe një abstenim, u përmbyll seanca e jashtëzakonshme të cilën e kërkova lidhur me synimin për mbajtjen e referendumit të Serbisë në Republikën e Kosovës. Qëndrimi i institucioneve të Republikës së Kosovës është qëndrim parimor, në mbrojtje të kushtetueshmërisë dhe ligjshmërisë në vendin tonë. Ne nuk do t’i shkelim parimet tona. Praktikat e dëmshme ndryshohen, e ligji do të respektohet. Kosova është shtet sovran dhe i pavarur, ashtu duhet edhe të trajtohet”, ka theksuar ai.

Ndërkaq, kryeministri Kurti në fjalimin e tij në Kuvend ka thënë se në Republikën e Kosovës të drejtat dhe liritë themelore vlejnë për të gjithë qytetarët e Republikës, duke shtuar se vlejnë njësoj edhe kur vjen fjala për të drejtën e votës.

“Me këtë logjikë, votimi për referendumin që do të mbahet nga Serbia, i garanton komunitetit jo shumicë serb në bazë të Kushtetutës dhe ligjit në fuqi në Republikën e Kosovës. Por, ushtrimi i kësaj të drejte duhet të bëhet nën ombrellën e këtyre normave juridike tona. Duke respektuar në mënyrë analogjike rregullat për votim jashtë vendit që vlejnë për qytetarët e Republikës së Kosovës, e të parapara me Ligjin për Zgjedhjet dhe Rregullën Zgjedhore”, ka deklaruar sot kryeministri në Kuvend.

Gjithashtu edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka përshëndetur miratimin e rezolutës kundër mbajtjes së referendumit të Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës.

Sipasa Osmanit, institucionet e Republikës së Kosovës refuzojnë njëzëri mbajtjen e referendumit të Serbisë në kundërshtim me normat kushtetuese dhe praktikën ndërkombëtare