Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka thotë se afati i përdorimit të pasaportave diplomatike, mbaron, ashtu siç mbaron afati i çdo dokumenti.

Në vitin 2016, Kombëtarja shqiptare u kualifikua në kampionatin europian, duke shënuar një moment historik për futbollin shqiptar. Në atë vit, lojtarët e kombëtares u paisën me pasaporta diplomatike. Por sot, Ministria e Jashtme i dorëzoi Federatës Shqiptare të Futbollit një shkresë ku theksohej se pasaportat diplomatike u dhanë menjëherë pas Evropianit të 2016, por  pas një VKM të datës 12 qershor të vitit 2016 këto subjekte nuk cilësohen më si kategori që të gëzojnë të drejtën e zotërimit të pasaportave diplomatike.

Olta Xhaçka ka reaguar pas kritikave në lidhje me këtë vendim, duke i quajtur “shumë zhurmë për asgjë”. “Vlefshmëria e pasaportave diplomatike mbaron siç mbaron vlefshmëria e çdo dokumenti identifikimi që përdoret në shtetin shqiptar, qofshin këto pasaporta apo karta identiteti”.

Megjithatë, Xhaçka, nëpërmjet një postimi në “Facebook”, shkruan se mirënjohja për ekipin e kombëtares nuk do mbarojë. “Ajo që nuk ka mbaruar e nuk do të mbarojë kurrë është mirënjohja e çdo shqiptari dhe e shtetit shqiptar për ekipin e heronjve të kombëtares që u kualifikuan e luajtën me dinjitet në Europianin 2016, duke i bërë krenarë shqiptarët kudo që jetojnë”.

Në shkresën e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme theksohet se ata që janë të pajisur me këto pasaporta diplomatike mund t’i përdorin ato deri në 30 qershor të 2021.

Top Channel