Kryeministri Edi Rama ka folur për takimin e tij me ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin në paraburgimin në Hagë. Në një intervistë për emisionin “Opinion”, Rama tha se ishte hera e parë që futej në një burg.

Kreu i qeverisë deklaroi se paraburgimi në Hagë ishte si një spital i madh dhe i mirë.

Fevziu: Ishte hera e parë që hyje në një burg?

Rama: Po e para.

Fevziu: Si t’u duk?

Rama: Me thënë të drejtën, po të mos kesh parasysh të gjitha dyert që hapen, aty ishte si një spital, madje një spital goxha i mirë. Ato dyert që hapen dhe mbyllen, ato muret rreth e rrotull, nuk ka asgjë për t’u impresionuar pozitivisht.

Rama ka komentuar dhe marrëdhënien që ka pasur me Hashim Thaçin.

Fevziu: Çfarë të përbashkëte keni me Thaçin?

Rama: Gjithmonë kemi pasur një kuptim me sy. E kam çmuar gjithmonë, është një qenie e jashtëzakonshme me një dhunti për politikën, një aftësi për të duruar dhe me një vullnet për të arritur qëllimin.

Fevziu: A ju kërkoi diçka?

Rama: Jo.

Fevziu: A keni folur me ndërkombëtarët për të dhe dënimin e të tjerëve.

Rama: Për mua, e gjitha kjo është një absurd. Duket sikur nuk është e vërtetë, nuk po ndodh. Për akuzën e kam fjalën. Nëse do kishte dalë një gjë që nuk e dinim, atëherë do thonim… por të akuzosh UÇK-në për ndërmarrje kriminale, shkon përtej të gjitha llojeve të përpjekjeve për të mirëkuptuar ose për të kuptuar atë që po ndodh.