Komisioni i Disiplinës është mbledhur ditën e sotme dhe ka marrë disa vendime. Mes tyre bie në sy pezullimi i Ardit Krymit, mesfushorit të Vllaznisë, me dy ndeshje. Shkodrani e pëson pas kartonit të kuq të marrë në ndeshjen me Partizanin, pas një përplasjeje me mbrojtësin Eno Bitri.

Nuk shpëtojnë dënimet te moshat, me Kastriotin U21 që humb në tavolinë me Bylisin U21 dhe i zbritën tre pikë për shkak se nuk u paraqit në ndeshjen që duhet të luhej në Ballsh. Tirana ndërkohë është paralajmëruar, për shkak të stërvitjes në stadiumin “Selman Stërmasi”.

– Lojtari i KF Vllaznia, Ardit Krymi, për sjellje josportive ndaj kundërshtarit, në bazë të nenit 47/1/d të KDS, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti.

– KF Tirana, në bazë të nenit 12 të KDS, paralajmërohet se në rast të përsëritjes së stërvitjes në stadiumin “Selman Stërmasi”, do të jetë subjekt i masave disiplinore që parashikon Kodi i Disiplinës Sportive dhe Rregulloret e FSHF.

– KS Kastrioti U-21, për braktisjen e ndeshjes së vlefshme për Kampionatin Kombëtar të Kategorisë Superiore U-21, kundër KF Bylis U-21, në bazë të nenit 54/1 të KDS, humbet ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3-0 dhe i zbriten 3 pikë nga klasifikimi.

– Lojtari i KF Shkodra U-19, Albi Shpuza, për sjellje josportive ndaj kundërshtarit, në bazë të nenit 47/1/d të KDS, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti.

– Lojtari i Shkëndija Dr. U-19, Eldi Mala, për lojë të rëndë ndaj kundërshtarit, në bazë të nenit 47/1/b të KDS, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti. /abcnews.al