Goran Radosavleviç – Guri, ish-komandanti i Xhandarmërisë serbe, i cili e ka të ndaluar hyrjen në Shtetet e Bashkuara për shkak të “përfshirjes së tij në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut”, mësohet se është nderuar me medalje mirënjohjeje nga shteti serb.
Sipas mediave kosovare, në kremtimin e “Ditës së Xhandarmërisë” më 30 qershor në Novi Sad, komandanti i Xhandarmërisë, Dejan Lukoviq, i ndau një medalje komandantit të parë të kësaj njësie policore në Serbi, Goran Radosavleviç – Guri, në shenjë falënderimi për bashkëpunimin e suksesshëm, raporton Zeri.info.
Shtetet e Bashkuara e kishin vendosur në listë të sanksioneve atë që nga dhjetori i vitit 2018, për shkak të siç ishte thënë:
“Radosavleviçi besohet se është i përfshirë në vrasjen e vëllezërve Bytyçi më 1999”.
Për këtë medalje ka reaguar ambasada amerikane në Beograd, duke thënë se Radosavleviçi duhet të përballet me drejtësinë e jo të nderohet.
“Ky ishte edhe personi përgjegjës i kampit ku u gjetën mbetjet e tre amerikanëve të vrarë në vitin 1999: Ylli, Agron, dhe Mehmet Bytyçi. Radosavleviçi u sanksionua nga SHBA-ja për përfshirjen e tij të besueshme në vrasjen e tyre. Ai duhet të përballet me drejtësinë, e jo të pranojë nderime”, ka thënë Ambasada Amerikane në Beograd.
Agron, Mehmet dhe Yll Bytyçi, shtetas amerikanë, me prejardhje nga Kosova, janë arrestuar në vitin 1999 në Serbi, për shkak të, siç kanë thënë zyrtarët serbë, kalimit të paligjshëm të kufirit. Ata janë liruar nga burgu pasi janë dënuar dhe më pas janë vrarë. Trupat e tyre janë gjetur në një varr masiv, pranë Petrovo Sellos në lindje të Serbisë, në vitin 2001.