Agostino Sellitri 71 vjeç ka humbur jetën pas vendosjes së një implanti dentar në Shqipëri.
Mediat italiane shkruajnë se ai ka mbërritur në Shqipëri në fillim të dhjetorit të këtij viti për t’iu nënshtruar trajtimit dentar. Nga vendi i shqiponjave, megjithatë, ai u kthye në një arkivol. Një atak në zemër e vrau atë një ditë pasi iu nënshtrua trajtimit ortodontik.
Ende nuk është e qartë nëse vdekja është e lidhur me trajtimin dentar, por presidenti i Shoqatës Kombëtare të Stomatologëve Italianë të Barit Fabio De Pascalis, është i prirur të paralajmërojë ata që i nënshtrohen trajtimeve me kosto të ulët.
“Rreth korrelacioneve dhe implikimeve që mund të ketë shkaktuar ajo ndërhyrje – deklaron presidenti – e ndjej për detyrë në emrin tim dhe të gjithë kolegëve të mi t’u referohem rregullave të maturisë dhe vëmendjes kur dikush vendos të ndërmarrë një udhëtim të këtij lloji”.
“Premtimet për ndërhyrje dentare me kosto të ulët fshehin gracka dhe rreziqe që nuk mund të injorohen. Për më tepër, këta pacientë rekrutohen në mënyrë delikate dhe jo shumë transparente. I bëjmë thirrje të gjithëve që të mos mashtrohen.
Kostoja e ulët shpesh nënkupton kujdes të dobët, mospërmbushje të kohës së nevojshme klinike, si dhe stres të tepruar fizik dhe psikologjik për pacientin. Shumë më tepër se shpesh na takon ne të riparojmë dëmet e bëra diku tjetër”, thotë presidenti i Andl.
“Nga ana tjetër, trajtimi në Itali – kujton De Pascalis – ka garancitë e tij jo vetëm sepse kryhet nga profesionistë të regjistruar në Urdhër, pra i verifikueshëm menjëherë, por edhe sepse nuk lejohet të shmanget nga asnjë detyrim higjieno-sanitar që na e imponon ligji”.
Për Fabio De Pascalis «duke e vënë re këtë fenomen, fatkeqësisht gjithnjë e më i shpeshtë për shkak të krizës ekonomike që mbizotëron, ne nuk mund të qëndrojmë indiferentë. Nëse nga njëra anë angazhohemi për të ndihmuar pacientët, nga ana tjetër do ta monitorojmë këtë fenomen”.