Mitropolia sqaron se Nikolla Xhufka nuk konsiderohet klerik dhe as prift nga ana e Kishës Orthodhokse

Pak ditë më parë në media qarkulloi njoftimi për vizitën e të ashtëquajturit  Kryepeshkopi i Rumanisë në qytetin e Elbasanit I cili dektetoi me titullin Prift shtetasin Nikolla Xhufka.Por përmes një  komunikat zyrtare ka reaguar institucioni I Mitropolisë së Elbasanit,Shpatit dhe Librazhdit . Në komunikatën e bërë publike për mediat Mitropolia sqaron se Nikolla Xhufka nuk konsiderohet klerik dhe as prift nga ana e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.

 Shprehim keqardhjen tonë, që në këtë rrugë të gabuar dhe të rrezikshme, është përfshirë i riu Nikolla (Bllazhde) Xhufka, i cili ka qenë për një kohë pranë Kishës sonë, ende pa mbushur moshën e duhur, pa arsimimin fetar, injoron dhe shkel katërçipërisht kanonet dhe rregullat e Kishës Orthodhokse, kërkon të prezantohet si klerik dhe prift ortodoks!

Ju bëjmë me dije; besimtarëve ortodoksë të Mitropolisë tonë të Elbasanit, Shpatit dhe Librazhdit, autoriteteve dhe institucioneve vendore, komuniteteve të tjera fetare dhe opinionit të gjerë publik se: Nikolla (Bllazhde) Xhufka nuk konsiderohet klerik dhe as prift nga ana e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Dorëzimi i tij konsiderohet i pavlefshëm dhe në kundërshtim të hapur me Kanonet e Kishës Orthodhokse.Gjithashtu, ju kërkojmë organeve kompetente ligjore dhe administrative, që ta shohin me shumë vëmendje këtë incident dhe të ndjekin sipas kompetencave që u jep ligji dhe detyra, që fenomene të tilla të përçarjes me bazë nacionaliste, fetare dhe politike të merren seriozisht në konsideratë dhe të parandalohet përshkallëzimi i tyre.

Mbarëvajtja e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë nuk mund të jetë në dorën e një personi anonim dhe as të një aventurieri djaloshar, të cilët për ambicie e delire personale janë të gatshëm të përfshihen në lojëra dhe axhenda të rrezikshme me pasoja të rënda për Kishën dhe vendin tonë.Mitropolia e Elbasanit, Shpatit dhe Librazhdit, drejtohet prej disa vitesh nga Imzot Andoni, një shqiptar i formuar me edukim fetar dhe të përgjithshëm, i cili me devocionin dhe përkushtimin e tij gëzon respektin dhe vlerësimin e besimtarëve dhe të gjithë shoqërisë sonë në Elbasan dhe në mbarë vendin. Përpjekjet për të përçarë Kishën Orthodhokse, edhe në këtë rast, me hirin dhe ndihmën e Zotit, do të dështojnë.- përfundon deklarata.