Konferenca e paralajmëruar me urgjencë nga lideri historik demokrat, Sali Berisha, u mbyll sërish me një paralajmërim për Edi Ramën, të cilin Berisha e cilëson si përgjegjës për situatën e krijuar jo vetëm në vend, por edhe në PD.
Berisha foli për një revolucion paqësor që do të vazhdojë edhe pas ditës së parë të Kuvendit Kombëtar, duke nënkuptuar rrëzimin e Bashës dhe më pas edhe të Ramës.
Berisha: Sa u përket protestave, e kam theksuar dhe e theksoj prapë, populli votë-dhunuar, qytetarët, të cilëve Edi Rama iu rrëmbeu votën me patronazhistët e tij, si hije mesjetare, me drogën dhe paratë e krimit, me disbursimet e thesarit, me tenderat dhe prokurimet, përbën domosdoshmëri absolute që të përballet me qytetarët që do votojnë me këmbë e duar në protestën e tyre.
Për të qenë i sinqertë me ju, burri i madh i kombit gjerman, Helmut Kohl, kur gjermano-lindorët protestonin çdo ditë dhe qindra-mijëra prej tyre gjenin mënyrën për të kaluar në Gjermaninë Perëndimore, Kohl u thoshte bashkë-atdhetarëve: Ata po votojnë me këmbët e tyre. Po bënin gjithçka për të votuar të lirë, po votojnë me këmbët e tyre, me këmbët e tyre, me marshimet e tyre po ecin drejt fitores.
Berisha u shpreh se kjo është pjesë e programit të Partisë Demokratike.