Nikolla Dura (Duri) është arrestuar nga Policia e Kavajës në bashkëpunim me atë të Lushnjes, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Italia nën akuzën e vrasjes dhe armëmbajtjes pa leje. Menjëherë pas arrestimit dhe kryerjes së procedurave 59-vjeçari me banim në Lushnje, pritet që të ekstradohet në Itali, ku dhe do të përballet me akuzën e ngritur ndaj tij.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor “Ndjekja”, për kapjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Operacioni i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Kavajë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Lushnjë dhe Interpol Tirana.

Kapet dhe arrestohet me qëllim ekstradimi drejt Italisë, 59-vjeçari i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprat penale “Vrasja” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kavajë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Lushnjë dhe Interpol Tirana, zhvilluan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Ndjekja”, në kuadër të të cilit u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi i përkohshëm, me qëllim ekstradimin drejt Italisë, i shtetasit N. D.(D.), 59 vjeç, banues në Lushnjë.

Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi Gjykata e Firences, Itali, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”. Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.