Policia ka identifikuar trupin e pajetë të gruas së re që u gjet mëngjesin e kësaj të mërkurë (2 gusht) poshtë urës së ‘Dajlanit’ në Durrës
Bëhet me dije se trupi i pajetë i përket shtetases Luljeta Preza, 32-vjeçe, banuese në Sukth ndërsa dyshohet se ka humbur jetë si pasojë e dëmtimeve të marra në trup me mjet presës.
Sakaq janë shoqëruar në polici 17 persona të cilët dyshohet se kanë dijeni për këtë rast.
Gjithashtu bëhet me dije se e reja është e komunitetit rom dhe dyshohet se ka qenë pjesë e një rrjeti prostitucioni.
Njoftimi i policisë:
Në lidhje me një informacion të dhënë paraditën e sotme, se rreth orës 10:35, në lagjen nr.13, Durrës, poshtë urës së Dajlanit, ishte gjetur pa shenja jete, një shtetase, ju informojmë se:
Nga verifikimet e kryera u bë i mundur identifikimi i kësaj shtetaseje, konkretisht u gjet e pajetë shtetasja L. P., 32 vjeçe, banuese në Sukth, Durrës. Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera paraprakisht nga grupi i posaçëm i ngritur për zbardhjen e kësaj ngjarjeje dhe nga ekspertët e mjekësisë ligjore, si dhe nga këqyrja e trupit të pajetë të 32-vjeçares, dyshohet se kjo shtetase e ka humbur jetën për shkak të dëmtimeve të marra në trup, nga një mjet prerës. Deri më tani, në ambientet e Policisë së Durrësit, janë shoqëruar 17 shtetas të cilët dyshohet se kanë dijeni për këtë rast.
Grupi hetimor vijon hetimet e thelluara për të dokumentuar plotësisht rrethanat e këtij rasti, si dhe për të përcaktuar autorësinë e tij.