Ilir Daja, trajneri i Partizanit, pas ndeshjes me Basel që “Demat” e humbën me rezultatin 0-3, foli për mediat dhe theksoi se ishte mëkat që nuk e shënuan një gol me rastet që krijuan. Tekniku vuri në dukje edhe diferencat mes ekipeve.

“Në raport me ne Basel kishte më shumë ditë për ta përgatitur këtë ndeshje, sepse pas fitores tonë ndaj Sfintul në takimin e parë 5 – 2 në turin e parë të Ligës së Konferencës Basel do të ndiqte veprimet tona, ndërsa ne kishim vetëm tre ditë kohe për ta përgatitur përballjen e parë në Zvicër.

E dimë që Basel ka traditë jo vetëm në futbollin zviceran, por edhe në kompeticionet Evropiane, dhe duke parë kualitetet që ka në ekip menduam që të bënim një përforcim në fazën difensive dhe do mundoheshim që të krijonim shanset tona me sulmin e shpejtë.

Patëm rastet tona për të shkuar te goli dhe nëse shënonim në dy rastet që krijuam pjesën e parë dhe sidomos në fillim të pjesës së dytë ku sulmuesi ynë u shfaq i vetëm përballë me portierin, ndeshja mund të merrte tjetër rrjedhë.

Jemi një ekip i rindërtuar në këtë periudhë, tërësisht mbrotja jonë është e rikompozuar. Basel me zëvendësimet që bëri kishte lojtar të ekipeve kombëtare, ndërsa ne aktivizuam lojtarë të rinj në moshë dhe nuk kanë eksperiencën në ndeshje ndërkombëtare.

Basel e meritoi fitoren, por edhe ne me mënyrën se si luajtëm duhet të kishim shënuar të paktën një gol“, përfundoi Daja, ndërkohë që tani shanset e Partizanit për t‘u kualifikuar janë pothuajse zero. / abcnews.al