Prokuroria Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë ka përfunduar hetimet për procedimin penal nr.277 viti 2020, në lidhje me inceneratorin e Elbasanit. SPAK njoftoi gjithashtu se procedura e miratimit në Këshillin e Ministrave do të hetohet më vete.

Në dosje ngrihen akuzat për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale” në ngarkim të të pandehurve Lefter Koka, Alqi Bllako, Etleva Kondi, Jonida Zeqo, Pëllumb Abeshi, Bardhul Çabiri, Serafin Papa, Mirel Mërtiri, Klodian Zoto, Stela Gugallja, shoqëria “Albtek Energy” sh.p.k dhe shoqëria “Integrated Technology Services” sh.p.k.

Objekti i hetimeve të këtij procedimi penal kanë qenë veprimet e kryera për procedurën e ndjekur për lidhjen e kontratës së koncesionit me objekt “Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Elbasan, për prodhimin e energjisë”, si dhe veprimet e kryera në fazën e zbatimit të kësaj kontrate koncesioni, kontratë e cila është lidhur midis Ministrisë së Mjedisit dhe shoqërisë tregtare “Albtek Energy” sh.p.k.

Në përfundim të hetimeve paraprake në ngarkim të të pandehurve të mësipërm, janë mbledhur provat e nevojshme dhe është provuar fakti se janë konsumuar disa vepra penale, më konkretisht:

Së pari, nga hetimet e kryera është provuar se në procedurën e dhënies së koncesionit dhe në lidhjen e kontratës me objekt “Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Elbasan, për prodhimin e energjisë”, nuk janë kryer të plota veprimet përgatitore për dhënien e koncesionit, në kundërshtim me nenin 16 të ligjit nr.125/2013 “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, në kundërshtim me nenet 5, 6, 7, 8, 13, 14/1, 26 të V.K.M nr.575, datë 10.07.2013 “Për miratimin e rregullave për vlerësimin dhe dhënien me koncesion/partneritet publik privat”, me kreun II, pika 2/c, të V.K.M-së nr.1, datë 10.01.2007 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, të ndryshuar.

Së dyti, nga hetimet është provuar gjithashtu fakti se nuk është zbatuar procedura e rregullt ligjore lidhur me llojin e procedurës që është përdorur për dhënien e koncesionit, në kundërshtim me parashikimet e nenit 22 të ligjit nr.125/2013 “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, në kundërshtim me dokumentet standarde të tenderit të zbatueshme për koncesionet, në kundërshtim edhe me sugjerimet e Ministrisë së Financave dhe Agjencisë së Prokurimit Publik. Në rastin konkret, në procedurën e ndjekur për dhënien e koncesionit dhe lidhjen e kontratës me shoqërinë “Albtek Energy” sh.p.k, është ndjekur procedura “me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit”, e rregulluar nga neni 33 e vijues të ligjit nr.9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, të ndryshuar. Procedura e ndjekur për dhënien e koncesionit “me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit”, nuk është një nga procedurat e parashikuara në nenin 22 të ligjit nr.125/2013, ku parashikohet se për dhënien e koncesionit munden të përdoren vetëm një nga tre procedurat: i) procedura e hapur; ii) procedura e kufizuar; ose iii) procedura me negocim, me shpallje paraprake të njoftimit të kontratës.SPAK