Shtëpia e Bardhë nuk i ndahet situatave problematike që rrëmbejnë vëmendjen e mediave, teksa qeni i Presidentit Joe Biden raportohet se ka kafshuar oficerët e Shërbimit Sekret të paktën 10 herë nga tetori i 2022 deri në janarin e këtij viti.
“Komandanti” i Biden sipas New York Post ka kafshuar të paktën 7 anëtarë të stafit të shërbimeve sekrete, me një prej tyre që është paraqitur në gjendje të rëndë në spital, sipas të dhënave nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare.
Grupi konservator mbikëqyrës Judicial Watch publikoi të martën rreth 200 faqe të të dhënave të shërbimit sekret që i kishte marrë përmes një padie të Ligjit për Lirinë e Informacionit.
Grupi e paraqiti kërkesën pasi mori informacion për sjelljen agresive të pastorit gjerman, që është qeni i dytë i Biden, i cili kafshon personelin e shërbimit sekret dhe stafin e Shtëpisë së Bardhë.
Për shkak të incidenteve të tilla, qenin e parë, pastorin gjerman të quajtur “Major”, Biden e ka lënë nën përkujdesjen e miqve të tij në Delaware.
Sakaq, Biden mori qenin e quajtur “Komandant” në dhjetor të vitit 2021 si dhuratë nga vëllai i tij James. Familja presidenciale ka gjithashtu një mace, që e kanë quajtur Willow.
Lidhur me incidentet, Anthony Guglielmi, zëdhënësi kryesor i shërbimit sekret u përgjigj me një e-mail të veçantë duke thënë se agjencia e tij është përpjekur që të veprojë në mënyrën më të mirë rreth kafshëve shtëpiake dhe këto incidente nuk përbëjnë përjashtim.
“Ne e marrim jashtëzakonisht seriozisht sigurinë dhe mirëqenien e punonjësve tanë”, tha ai.