Deri në 100 incidente të dyshimta në Europë këtë vit mund t’i atribuohen Rusisë, sipas ministrit të Jashtëm çek Jan Lipavský.
Në komentet e bëra përpara një takimi me homologë të NATO-s në Bruksel, të mbajtur në kohën kur zyrtarët perëndimorë po përpiqen të reagojnë përpjekjeve të dyshuara të Moskës për sabotazh, Lipavský, theksoi se Evropa duhet t’i dërgojë një sinjal të fortë palës ruse se kjo nuk do të tolerohet.
“Këtë vit ka pasur 500 incidente të dyshimta në kontinentin e vjetër. Deri në 100 prej tyre mund t’i atribuohen sulmeve hibride ruse, spiunazhit, operacioneve të ndikimit”, deklaroi me bindje ai.
Vitet e fundit, kujton The Guardian, vendet europiane kanë qenë dëshmitarë të një serie incidentesh – sulme kibernetike, zjarrvënie, sabotime e madje edhe komplote për vrasje. Zyrtarët e sigurisë besojnë se qëllimi i episodeve të tilla është të mbjellin kaos, të përkeqësojnë tensionet sociale midis aleatëve të Ukrainës dhe të ndërpresin furnizimet ushtarake për Kievin.
Shqetësimet në Europë për sulmet e mundshme hibride ruse u intensifikuan ndjeshëm pasi Shtetet e Bashkuara i dhanë Ukrainës dritën jeshile për të përdorur raketat e tyre me rreze të gjatë veprimi për goditje thellë brenda territorit rus.
Mark Rutte, sekretari i ri i përgjithshëm i NATO-s, paralajmëroi së fundi se fushata e intensifikuar e sulmeve hibride ruse nxori në pah mënyrën sesi Moska po e zhvendos me shpejtësi vijën e frontit nga Ukraina në rajonin e Baltikut, në Europën Perëndimore e madje edhe më lart në veri.
Top Channel