Policia e Shtetit me një reagim publik rrëzoi pretendimet për pjesëmarrjen e një personi të dytë në krim.

Këtu, duhet ndarë pjesëmarrja në konfrontim ku ishin 9 persona, dhe përdorimi i thikës. Pra, blutë mohojnë që të ketë autorë të dytë që ka përdorur thikë duke u kujdesur të vënë në dukje edhe togfjalëshin “deri në këto momente të hetimit”.

“Policia e Shtetit disponon dëshmi të personave të përfshirë në konflikt dhe pamje filmike në afërsi të vendit të ngjarjes ku ka ndodhur tragjedia dhe në kushtet e ndalimit ligjor për publikimin e tyre, informon opinionin publik se nga hetimet e deritanishme nuk implikohet një autor i dytë i përfshirë në këtë ngjarje”.

‘Ngelet për t’u pare, nuk mund te flasim ne momentin qe jemi tani. Policia, normalisht, deri sa te arrije një komponent te plote te përkatesisë penale qe ka gjate procesit te hetimit, te provave te vendit te ngjarjes, duke marre dhe te gjitha dështimet dhe mbledhur te gjitha elemenetet të cilët e plotësojnë hetimin dhe fazën e pare, kjo bën qe policia te ketë dhe ndonjë kontradikte’ u shpreh avokati, Edmond Petraj.

Reagimi i policisë së shtetit për përgënjeshtrimin e rastit acaroi më shumë situatën e familjes Meçe. Luisi reagoi nga spitali duke shpjeguar ngjarjen dhe njëherë dhe duke theksuar praninë e një autori tjetër në skenën e krimit. Në raportime të shumta, hidheshin akuza se po fshihej emri i një personi tjetër të përfshirë i quajtur Kledon Bejkaj.

14-vjeçari është djali i Nevila dhe Maksim Bejkajt. Dy persona me pozita mjaft të rëndësishme në radhët e drejtësisë së re. Maksimi punon si hetues i Byrosë Kombëtare të Hetimit, ndërsa Nevila Specialiste e Regjistrave pranë SPAK. Në fakt, siç zbuluam edhe më sipër emri i 14-vjecarit Bejkaj është pasqyruar në dosjen hetimore si pjesëmarrës në konfrontim. Ai ka qenë aktiv në sherr dhe madje ka pësuar dëmtime. Por, me provat e siguruara deri tani nuk ka të dhëna nëse veç autorit Përlleshi, ka persona të tjerë që kanë përdorur thikë.

“Është bërë këqyrja e jashtme e të miturit Kledion Bejkaj, ku vihet re se ka një gjatësi 170 cm. Në mollëzën e djathtë të fytyrës vihet re një dëmtim ngjyrë mavi me përmasa 0.7x1cm e shoqëruar me një njollë me ngjyrë më të errët dhe fryrje e ënjtje në madhësinë e një kokërr are. Në anën e brendshme të buzës së sipërme në këndin e djathtë të anës së djathtë vihet re një njollë me ngjyrë të kuqe e shoqëruar me çarje të indeve me përmasa 1x1cm Në gjurin e këmbës së djathtë në anën e jashtme ka një dërmishtje me ngjyrë të të kuqerremtë në formë rrethore me diametër 1 cm”.

“Hetimi nga dita ne dite fillon dhe ndryshon sepse nuk është si ne ditën e parë kur ndodh ngjarja. Sa i perket ndikimit se mund te jete një person i cili ka ndikua, ajo mbetet për tu pare, nuk mund te flitet deri tani që jemi në këto kushte” u shpreh avokati, Edmond Petraj.