Ish-shefi i Rendit në Policinë e Elbasanit, i cili ka shërbyer në këtë detyrë gjatë vitit 2012, ka dëshmuar në gjykatën e posaçëm SPAK, ku po zhvillohet gjyqi penal kundër Ardjan Çapjas, Ervis Bardhit, Etien Canit dhe Klajdi Dokolit.
Leonidha Zaimi, në cilësinë e dëshmitarit ka treguar para trupit gjykues, momentin kur është vënë në dijeni për vrasjen e Gentian dhe Nezir Beqirit, brenda në apartamentin e tyre në Elbasan.
Zaimi, ka treguar se në periudhën kur ka ndodhur ngjarja e rëndë në 15 gusht 2012, ai ka mbajtur postin e shefit të Rendit në Policinë e Elbasanit.
Sipas dëshmisë së policit, ai kishte në kontroll dy policët Sami Derstila dhe Neshat Budani, të cilët mëngjesin e ndodhjes së krimit, ishin planizuar me shërbim tek shtëpia e Gentian Beqirit,ndaj të cilit gjykata kishte caktuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Leonidha Zaimi, tregoi para gjykatës se njëri nga policët e ka marë në telefon dhe e ka njoftuar se brenda në banesë ishte vrarë Gentiani dhe plaku. Ndërsa më pas vetë Zaimi, ka njoftuar me shumë urgjencë shefat e tij, për ngjarjen.
Zaimi, i tregoi gjykatës edhe mënyrën se si ishin përzgjedhur dy policët që bënin shërbim tek shtëpia e dy viktimave, duke përjashtuar çdo mundësi se ata kishin bashkëpunuar me vrasësit.
Në seancën gjyqësore është paraqitur dhe ka dëshmuar, Anxhilo Kashari, shok burgu i Gentian Beqirit dhe Ervis Bardhit, bashkëpuntor i drejtësisë. Kashari i tha gjykatës se para vrasjes ka qëndruar në paraburgimin e Elbasanit me Gentian Beqirin dhe Ervis Bardhin, i cili në atë kohë ishte arrestuar për kanosje e mbajtje pa lejë të armëve. Dëshmia e Kasharit, konfirmoi faktin se Ervis Bardhi dhe Gentian Beqiri, kishin njohje që në kohën e qëndrimit në paraburgim, njohje që më pas ai e ka vijuar, duke hyrë dhe dalë në banesën e Beqirit, në kohën kur ky i fundit ndodhej në “arrest shtëpie”.
Ndërsa një dëshmitar tjetër, Endrit Terevoli, ka folur lidhur me detajet e një numri celular që e përdorte, Beqiri, gjatë kohës që ishte në “arrest shtëpie”. Numri i telefonit ishte i rregjistruar në emër të Etien Canit, ndërsa në fakt ai përdorej nga, Gentian Beqiri. Faktin se numri përdorej nga viktima, doli nga dëshmia e mikut të tij, Endrit Terevoli, i cili tha se numrin ja kishte dhënë vetë Gentiani dhe me atë numër, kishin biseduar dhjetëra herë në orare dhe ditë të ndryshme.
Me dëshminë e Anxhilo Kasharit dhe Endrit Terevolit, prokuroria provoi faktin se dy të pandehurit Bardhi dhe Cani, njiheshin me viktimën Beqiri, madje kishin një raport të ngushtë me të, duke hyrë dhe dalë në banesën e tij.
Për shkak të afrimitetit të tyre, ata kanë marë përsipër së bashku me Olsi Lekun, të kryejnë vrasjen e Gentianit dhe babait të tij, Nezir Beqiri. Pritet që seanca e rradhës ndaj të pandehurve, Ardjan Çapja, Ervis Bardhi, Etien Cani dhe Klajdi Dokoli, të zhvillohet në datën 1 dhjetor. Ndërsa për vrasjen e dyfishtë, vijojnë të jenë në procedura ekstradimi, dy të pandehurit e tjerë, Olsi Leku në Greqi dhe Florenc Çapja në Dubai.