Gola dhe shfaqja në “Puskas Arena” të Budapestit midis Portugalisë dhe Francës. Ndeshja e madhe e Grupit F të “Euro 2020” përfundoi 2-2. Një rezultat që i kualifikon të dyja kombëtaret në 1/8 finale. Në fushë pamë lojë të shkëlqyer dhe dy protagonistë, mbi të gjitha: Cristiano Ronaldo e Karim Benzema, autorë dopietash.

Një mbrëmje për të mos u harruar për të dy, ish-shokë skuadre te Real Madridi. Francezi u kthye në gol te “Les Bleus”, 2085 ditë pas 8 tetorit 2015, kur shënoi ndaj Armenisë. Nga ana tjetër, kampioni portugez i Juventusit arriti Ali Daei me 109 gola në kombëtare, duke e çuar kështu rekordin e ri të shënimit në një fazë finale të Kampionatit Europian në 14 gola.

Pas bilbilit të trefishtë, të gjithë ishin të lumtur për ndeshjen dhe kualifikimin. Benzema foli edhe për atë që diskutoi me Ronaldon: “Është gjithmonë kënaqësi ta shoh Cristiano, sepse së bashku kemi bërë një udhëtim prej tetë apo nëntë vitesh. Ne kemi fituar tituj, kemi shënuar gola së bashku te Real Madridi.

Ishte kënaqësi ta takoja përsëri në fushë. Ne folëm për gjëra normale, nëse gjithçka po shkonte mirë dhe i uruam njëri-tjetrit fat me klubet dhe ekipet tona kombëtare”.