Motra e serial-killerit Nuredin Dumani, i penduari i drejtësisë, e cila ishte punësuar në ministrinë e Jashtme ka dhënë dorëheqjen, 

Lajmi vjen pak orë pasi Ministria e Jashtme reagoi me një sqarim pas raportimeve se motra e Dumanit, ishte punësuar në këtë dikaster dhe ishte pajisur me certifikatë sigurie.

Në një njoftim për mediat, MEPJ sqaroi se shtetasja me iniciale Xh.D. ishte përzgjedhur fillimisht për të kryer praktikën 3-mujore në ministri.

Pas përfundimit të praktikës, me motrën e Nuredin Dumanit është lidhur një kontratë 1-vjeçare pune.

“Emri i znj. Xh.D ka qenë pjesë e listës që kanë aplikuar për këtë program sjellë në MEPJ nga Ministria e Arsimit. Pas marrjes së listës, ngrihet një komision që bën përzgjedhjen e studentëve, bazuar në metodologjinë e përcaktuar në VKM përkatëse dhe më tej, bazuar tek buxheti dhe kërkesat e drejtorive përkatëse të MEPJ, përzgjidhen një numer i caktuar studentësh, për të cilët lidhen kontratat e punës me afat të caktuar 1 vjeçar. Emrat e praktikantëve sugjerohen nga drejtoritë përkatëse ku ata kanë kryer praktikat e punës. Pra, znj. Xh.D ka hyrë në MEPJ si pjesë e një programi, ku përzgjedhja bazohet vetëm në rezultatet e studentëve dhe që synon krijimin e hapësirave për studentët më të mirë në administratën publike.

Znj. Xh.D e ka kryer praktikën në gusht 2021 dhe në perfundim të praktikës, për shkak të vlerësimit të performancës së saj nga drejtoria, është lidhur kontrata e punës me afat të paracaktuar 1 vjecar deri ne 31.12.2022, si specialiste në Drejtorinë e Shërbimeve të Brendshme, Sektori i Shërbimeve. Znj. Xh.D nuk ka qenë për asnjë moment e punësuar në Kabinetin e MEPJ. Për punësimin e znj. Xh.D është kërkuar sipas ligjit, dëshmia e penalitetit nga autoritetet përkatëse e cila ka rezultuar e pastër. Në përputhje me ligjin, ashtu si për çdo punonjës tjetër të MEPJ, edhe për znj. Xh.D është kërkuar certifikata e sigurisë nga DSIK. Kjo certifikatë është, pas dëshmisë së penalitetit, një tjetër filtër nëpër të cilin kalon çdo punonjës i MEPJ” – thuhej në sqarimin e ministrisë.