Mbrëmjen e djeshme një ngjarje e rëndë ka tronditur Tetovën, ku u shkrumbua spitali i COVID dhe fatkeqësisht humbën jetën 14 qytetarë.

Së fundmi, këngëtarja nga Tetova, Elita Ziberi ka rrëfyer për “Breaking” tmerrin që përjetuar qytetarët ku spitali u dogj.

“Ishte një tmerr, ende dridhem kur e mendoj. Ka shumë persona të vdekur, ca thonë 20, ca thonë më shumë. Por në qytet vinte era e rëndë, gjithçka u shkrumbua. Nuk e mendoj se është reaguar shumë shpejt, njerëzit krejt janë djegur. Ka pasur disa persona që kanë shpëtuar. Jam shokuar, nuk e di…”, tha Ziberi.

Po ashtu, ajo ka rrëfyer se njëra nga viktimat ishte mikja e saj, 29-vjeçarja e cila ka qenë në spital për t’i qëndruar pranë nënës së saj të prekur nga Covid-19. Ajo është shprehur se nuk ka pasur një reagim të shpejtë, pasi gjithçka është shkrumbuar.

“Nuk mund të mbaj edhe orën e mësimit ashtu siç duhet jam duke u dridhur, nuk e di, shumë e vështirë. Një shoqe që kam pasur kishte vdekur me nënën e vet aty. Të kenë durim të githë tetovarët”, theksoi ajo.

Maqedonia e Veriut ka vendosur të shpallë tre ditë zie kombëtare pas tragjedisë së ndodhur një natë më parë në spitalin e Tetovës, ku mbetën të vdekur 14 pacientë.

Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi ka kërkuar nga qytetarët dhe mediat që të presin informatat zyrtare dhe të mos shpejtojnë të publikojnë informacione të pakonfirmuara.

Ajo theksoi se familjet e 14 viktimave do të ndihmohen ekonomikisht.