Mashtronte dhe hiqej si prokuror i SPAK, arrestohet një 55-vjeçar.

Policia e Tiranës ka reaguar në lidhje me një rast të transmetuar në emisionin investigativ “Stop”, që bën fjalë për një shtetas, i cili me anë të mashtrimit, duke u prezantuar si funksionar shtetëror, kishte përvetësuar shuma të konsiderueshme parash nga një shtetase.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në bashkëpunim me Sektorim e Forcës së Posaçme Operacionale në DVP Tiranë, pas publikimit të pamjeve filmike, organizuan punën për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasit që shfaqet në video.

Në vijim të veprimeve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë arrestuan shtetasin Vebi Brahimaj, 55 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore”.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë falënderon mediat dhe qytetarët që denoncojnë rastet e paligjshmërisë dhe i fton sërish ata që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie, në numrin 112, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm.

Mashtrim 10 mijë euro
Një grua denoncoi në “STOP” se i kishte dhënë rreth 10 muaj më parë në Tetor 2022, një personi nga Tirana 10 mijë Euro.

“Një person më ka mashtruar dhe emri i tij quhet Vebi Brahimaj. E kam njohur nga një rreth shoqëror”, tha ajo.

Më pas shtoi: “Më ka prezantuar që punon në SPAK, është prokuror atje. 10 mijë Euro m’i mori dhe më tha përderisa njihemi pse mos t’i marrësh ti ato lekë domethënë. I duheshin për një tender që sapo kishte nisur dhe më tha që do t’i investoj atje. E vetmja gjë që më tha ishte që do të investonte në rroba policie dhe do të investonte 50 mijë në 4.5 milionë Euro që do të fitonte në tender.”

Gjatë bisedës së tyre telefonike të publikuar, ai madje edhe e ngacmon.

Vebi Brahimaj: Pu, pu gjithë kjo bukuri e rrallë, të rrijë… gjithë kjo bukuri e rrallë të rrijë vetëm kështu.

Denoncuesja: Më duhen lekët urgjent, se kam babin sëmurë!

Vebi Brahimaj: Çfarë të thashë unë? Leri llafet tani!

Denoncuesja: Tani do nisem për në SPAK.

Vebi Brahimaj: Ore nisu, ku të duash ti, nuk më intereson mua ajo punë fare, se çfarë bën ti tani! Po deshe, kur të kthehem unë! Je në rregull…? Po nuk deshe, nuk më intereson fare, se ku shkon ti. Unë nuk pyes për atë punë, se çfarë thua ti…shko, ku të duash!

Denoncuesja: Ok! Kam për ta bërë të madhe këtë muhabetin tënd dhe ke për të parë ti, do t’i japësh lekët apo jo…

Vebi Brahimaj: Do ta shohim, kujt i del më mirë, mua apo ty… tashi.

Denoncuesja: Ok, më ke marrë lekët. Më ke marrë 16 mijë Euro. Më ke thënë, që do të më japësh % për to?!

Vebi Brahimaj: Sa, sa…?!

Denoncuesja: Më more 6 mijë euro radhën e parë, që m’i dhe… edhe më more prapë 10 mijë Euro?

Vebi Brahimaj: Po, po shumë mirë, po qe puna për ashtu…

Denoncuesja: O prokuror! Do të vij në SPAK dhe flasim atje!

Vebi Brahimaj: Jo, s’ke nevojë! Kur të vij unë, kur të kthehem…

Denoncuesja: Jo, jo! Unë do shkoj!

Vebi Brahimaj: Shko, ku të duash ti…! Kur të kthehem nga Bullgaria unë, flasim bashkë!

Denoncuesja: Dhe kur kthehesh nga Bullgaria ti?

Vebi Brahimaj: Unë do nisem nga ora 16:00, ose nesër në mëngjes.

Denoncuesja: Ti më je prezantuar si prokurori i SPAK-ut dhe meqë më je prezantuar si prokuror i SPAK-ut, unë do të shkoj në prokurori dhe do pyes për ty, dhe atje ju them filani, këto, këto! Kaq!

Vebi Brahimaj: Dhe çfarë do bësh?

Denoncuesja: Atë, çfarë do bëhet, do ta shikosh ti!

Në muajin Shtator denoncuesja erdhi në Tiranë për tek SPAK-u, nga ku edhe i dërgon një video Vebiut.

“Brenda dy muajve që kanë kaluar, çdo javë e ka shtyrë me nga një javë. Tani unë u detyrova të vij vetë në Tiranë, shkova dhe pranë SPAK-ut”, tha denoncuesja.

Ky i fundit zemërohet deri në pikën, që e kërcënon me jetë dhe e shan me fjalët më të rënda.

Vebi Brahimaj: Po lëri pallavrat! Po lëri, mos më çaj ka*in mua! Ore, se s’i merr asnjë herë ato, more vesh? O njeri! Mos më bëj p**dhë mua! Kujt i thua ashtu ti? Po ti më ha k***n! Të mbys! Të degjeneroj! O e di, me kë flet?! Të degjeneroj! O, e di me kë flet?! Të shkatërroj fisin! Gjithçka! Çfarë po të them unë? Të kam thënë në Shtator. Kur të dua unë, do t’i sjell…!