Sulmuesi suedez ka dhënë një intervistë këtë të martë për “Champions Journal”, ku ka folur për formën e tij të mirë, rikthimin në kombëtare, si dhe për dëmtimin e fortë që kaloi kur luante me Manchester United, që e shtyu te mendimi për t’u tërhequr.

“Unë kam një problem, kurrë nuk jam i kënaqur. Jam 39 vjeç, me atë që kam arritur mund të mos punoja dhe të kisha një jetë të shkëlqyeshme, tani e tutje, por unë gjithmonë e kam këtë pasion të madh për atë që bëj. Unë gjithmonë dua më shumë”, shprehet Ibra.

Ibra i zakonshëm është i pangopur. Uria është ajo që e lëviz kampionin dhe e bën atë të shkojë përtej kufijve, fizikë dhe personalë. “Unë nuk shoh shumë lojtarë, që bëjnë atë që bëj unë. Pas moshës 30 vjeç zakonisht fillon faza e dobësimit për një lojtar dhe arrin pastaj lamtumira. Unë pas moshës 30 vjeç u bëra edhe më i fortë”.

Përherë Zlatan është i drejtpërdrejtë dhe i efektshëm, prek gjithmonë akordet e duhura. Më lehtë për të zbutur një luan apo Ibran? “Ju mund ta zbutni një luan, por nuk mund ta zbutni Zlatan. Ai është një kafshë tjetër”.

Gjithsesi, sulmuesi i Milanit nuk i harron vështirësitë që ka përjetuar, ndër të gjitha, dëmtimin e rëndë të kryçialit kur ishte te Manchester United, i cili mund t’i kishte dhënë fund karrierës së tij. “M’u desh një vit për t’u ndjerë gjallë. Të jem i sinqertë, puna që kam bërë ka qenë e mërzitshme, ishte një punë mendore, me të cilën nuk isha mësuar”.

Një periudhë e vështirë, në të cilën edhe Ibra i guximshëm, kishte dyshime: “Mendoja shpesh se ishte koha për t’i dhënë fund karrierës time, – thotë ai. – Por për fat të mirë unë kisha njerëz përreth meje që më inkurajuan të vazhdoja dhe të mos bëhesha dembel. Duhet ta bësh, duhet ta bësh”,- më thanë vazhdimisht.

Historia e Ibrahimoviçit kishte një fund të lumtur. Por në të vërtetë ende nuk ka fund, ka ende vend për kthesa: “Unë i bëra ato dhe tani ndihem i gjallë”.

(E.H/Faxweb.al)