Marco Tardelli, ish-lojtari i Juventusit, në rubrikat e “La Stampa” ka analizuar finalen e Superkupës së Italisë mes Interit dhe Juventusit, e fituar nga zikaltrit 2-1. Këto janë disa pjesë nga analiza e tij: “Finalja e fundit e Superkupës sigurisht që nuk ishte spektakolare. Pamë dy skuadra me qasje të ndryshme taktike në fushë.
Zikaltrit u shfaqën të kompletuar në të gjitha repartet, me një lojë pothuajse unanime dhe sulmuese. Të mirëvendosur, të sigurt dhe të vetëdijshëm për forcën e tyre. Bardhezinjtë, përkundrazi, i pashë në konfuzion, pa ide, me një qasje mbrojtëse që synon të ndalojë sulmet e kundërshtarit bazuar në kundërsulm, me shpresën për të arritur te penalltitë.
E vërteta është se mungesat ishin të rëndësishme te Juventusi, u ndjenë shumë, por e gjitha kjo nuk mund të justifikojë një qëndrim të tillë. Nëse shpresoni në zgjidhjen e lojës përmes individit, gjithçka bëhet e vështirë. Ndjenja nga jashtë është se bardhezinjtë nuk dinë çfarë të bëjnë në fushë, se nuk kanë ide të lojës.
Nganjëherë, lojtarët e Juventusit ndihen sikur kanë humbur. Interi e meritoi fitoren dhe dora e Simone Inzaghit ishte evidente. Shkurt, një ekip solid në të gjitha repartet: mbrojtje, mesfushë dhe sulm. Nuk ishte e lehtë të rindërtoje një formacion fitues menjëherë, Inzaghi ia doli.
Zgjedhje të drejta, të guximshme dhe largpamëse, një aftësi e jashtëzakonshme për të kthyer faqen pa u menduar shumë. Ky është ndryshimi me Juventusin, ku konfuzioni ka mbretëruar në vitet e fundit. Largimi i Marotta ka lënë një boshllëk që ende nuk është mbushur, ndoshta ka ardhur koha që dikush të fillojë të mendojë për këtë”.