Department of Fair Employment and Housing (DFEH) në Kaliforni akuzon studion e publikimit të lojërave Blizzard Entertainment dhe kompaninë mëmë të tyre, Activision Blizzard, për krijimin e një kulture të “ngacmimeve seksuale konstante” dhe diskriminimin në bazë të gjinisë të punonjëseve femra. Që nga momenti i publikimit të kësaj padie, një numër i shumtë femrash kanë ofruar informacione që do të ndihmojnë në vërtetimin e akuzave.
Detajet nga kjo çështje janë tepër shqetësuese dhe janë pranuar universalisht nga punonjëset femra në Activision Blizzard. Ato raportuan se punonjësit meshkuj vinin shpesh herë të dehur në punë, flisnin hapur rreth trupit të femrave dhe bënin shaka të shumëta rreth ngacmimeve seksuale.
Ndër personat e emërtuar ishte dhe presidenti i Blizzard, J. Allen Brack, që besohet se ishte në dijeni të këtyre ngjarjeve dhe se ishte një ndër këto persona që kishte kontakt fizik me punonjëset.
Si të mos mjaftonin këto akuza, në këtë kompani ekziston dhe diskriminimi gjinor, pasi drejtuesit refuzonin të ngrinin në detyrë femrat. Të kontaktuar nga The Verge, Activision Blizzard u përgjigj duke e quajtur këtë betejë gjyqësore “një sjellje të papërgjegjshme nga burokratët e papërgjegjshëm të shtetit të cilët po largojnë bizneset më të mira nga “Klanifornia”.