Dosja e plotë të vendimit që Gjykata e Elbasanit dha në 25 Shkurt 2003 për Agim Çermën i cili u arrestua pak ditë më parë në Kolumbi, u zbardh nga Abc. Ai rezulton i dënuar me 17 vite burg për vrasje. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, u dënua përfundimisht me 11 vite e 8 muaj burg.

Ai u shpall fajtor për vrasjen e Gëzim Liçit, krim i ndodhur në Elbasan më 28 gusht të 97-ës. Konflikti mes dy familjeve kishte nisur më herët. Më 19 Qershor Agron Liçi ka vrarë Ardian Çermën, vëllain e Agimit.

Dy muaj më vonë, më 28 Gusht, Agim Çerma, takohet në Elbasan me kushëririn e tij, Kudret Gosenin për të pirë kafe. Pasi kanë dalë nga lokali hipën në makinën Audi të Gazmend Çermës, vëllait të Agimit.

Pranë bustit të Kostandin Kristoforidhit, një mjet “Benz” u ka ardhur përballë. Për të shmangur përplasjen, Gazmendi hipën në trotuar me makinë dhe më vonë për të zbuluar se kush ishte ky person e ndjek nga pas. Duke qenë se Gazmend Çerma lëvizi në shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, një patrullë policie i bëri shenjë për të ndaluar, por ai vijoi rrugën.

Por, ku arrijnë në vendin e quajtur “Tabakane”, hasin makinën “Benz” që më herët i kishte provokuar. Në atë moment, Gazmendi del nga makina dhe qëllon me automatik drejt këtij mjetit pa e ditur që në të ndodhej Gëzim Liçi, i cili mbeti i vrarë. Pas ngjarjes, ata shkojnë në shtëpinë e tyre. Për shkak të frikës nga hasmëria, vendosën të largoheshin.

Në këto momente ata janë përballur me forcat e policisë të cilat kishin shkuar për ti arrestuar. Në dosje thuhet se Gazmendi iu ngjit në tarracë dhe ka qëlluar me antitank në ajër. Për pasojë kanë mbetur të plagosur disa efektivë të policisë. Gazmendi ka mundur t’u shpëtojë.

Në banesën e tyre, policia gjeti disa armë të ndryshme, për të cilat vëllezërit Çerma më vonë argumentuan se i mbanin pa leje për shkak të hasmërisë që kishin pasi i vranë vëllain në ’97.

Pjesë e kësaj dosje ishin edhe persona të tjerë, 4 vëllezërit e Agim Çermës dhe një i afërm i tij. Fillimisht, në ’98 ai u dënua në mungesë me burgim të përjetshëm. Pasi i vëllai Gazmend Çerma në deklarimet e dhëna tha fillimisht se vrasjen e kishte kryer Agimi.

Ky i fundit u arrestua në Itali në vitin 2001 dhe në 2002 u ekstradua në vendin tonë, ku kërkoi rigjykim. Kur i mbetën për të vuajtur dhe rreth 1 vit e 9 muaj e 8 ditë burgim, Agim Çerma iu drejtua Gjykatës së Lezhës, ku fitoi lirinë me kusht.