Pamjet filmike të një karburanti në zonën e Golemit në Kavajë, janë prova kryesore që policia dhe prokuroria e Elbasanit, kanë për identifikimin e vrasjes me 14 plumba të Ibrahim alias Everest Çaka.

Personi në këtë foto të siguruar nga Ora News është njëri nga autorët, thonë burime policore dhe deri në këtë fazë është krijuar bindja e plotë, se ai është njeriu kryesor që ka marrë pjesë në ekzekutimin e Çakës.

Në 20 maj të këtij viti, Ora News paralajmëroi zbardhjen e vrasjes së Ibrahim Çakës, por ende policia dhe prokuroria e Elbasanit nuk kanë finalizuar operacionin për arrestimin e personave që janë autorë të krimit.

Fotoja e personit është siguruar nga pamjet filmike të një karburanti, person ky që tashmë mbahet në monitorim nga policia, ndërsa nuk dihet se kur mund të ndërhyhet për arrestimin e tij.

Në vrasjen e Everest alias Ibrahim Çakës, kanë marrë pjesë dy persona. Njëri prej tyre është kapur nga një kamera e rrugës nacionale që lidh Durrësin me Golemin, zonë në të cilën u gjend e djegur makina që dy autorët përdorën në vrasjen e Çakës.

Personi dallohet qartë, pasi është në pritje të një taksie. Kjo taksi tashmë është identifikuar nga policia dhe prokuroria e Elbasanit, e cila ka bërë të mundur shoqërimin e shoferit.

Dëshmitari ka treguar detaje me interes, duke pohuar se ishte ai njeriu që kishte shkuar në autostradë të merrte personin që policia e dyshon për vrasjen e Everest alias Ibrahim Çakës në Elbasan.

Nga veprimet e kryera deri në këtë fazë të hetimit, ka rezultuar se një person i vetëm, i veshur sportiv, me kapuç në kokë dhe një maskë kirurgjikale, rezulton të jetë njeriu që ka qëlluar plot 14 plumba në drejtim të Everest Çakës.

Në ekspertimin mjeko-ligjor, qartësohet se viktima, ka marrë 30 plagë të shkaktuara nga plumbat brenda në makinën e tij.

Të gjitha predhat kanë qënë tejshkuese për shkak se Ibrahim Çaka, është qëlluar nga një distancë shumë e afërt, rreth 50 cm largësi.

Ditën e ngjarjes, viktima lëvizte me një automjet tip “Opel”, të cilin ja kishte marë një shoku.

Ai kishte shkuar në banesën e vjehrrit në lagjen “Skënderbej”, ku pasi ka qëndruar rreth 15 minuta ka marë bashkëshorten dhe është larguar me automjet.

Autorët e kanë mbajtur në monitorim ku sapo Çaka ka filluar të ecë me makinë i janë vënë pas.

Fillimisht e kanë goditur me automjet nga pas duke inskenuar një aksident.

Në këtë moment Everest Çaka nuk është larguar por ka hapur krahun duke e pozicionuar makinën “Opel”, me dy goma në trotuar dhe dy në rrugë.

Çaka ka hapur dhe xhamin e makinës për të biseduar me personin që e kishte goditur nga pas kur është qëlluar pa mëshirë duke gjetur vdekjen e menjëhershme në sy të gruas.