Kanadaja ka thënë se do të ndalojë përdorimin e aplikacionit TikTok në të gjitha pajisjet qeveritare, duke nisur nga dita e martë

Ky vendim vjen pas një rishikimi që i kanë bërë këtij aplikacioni zyrtarë qeveritarë për informacion.

Qeveria kanadeze ka thënë përmes një deklarate se ky aplikacion “paraqet nivel të pashembullt të rrezikut për privatësinë dhe sigurinë”.

https://8e79d09341fa5f682de5c58bfa3f9fd5.safeframe.googlesyndication.com/safeframe/1-0-40/html/container.htmlPërfaqësues të TikTok-ut kanë thënë se kompania është e zhgënjyer me këtë vendim. Ky vendim vjen disa ditë pasi edhe Komisioni Evropian e ka prezantuar një ndalesë të ngjashme.

Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, ka thënë se ekzistojnë mjaftueshëm shqetësime për sigurinë e këtij aplikacioni.

“Ky mund të jetë hapi i parë, ky mund të jetë hapi i vetëm që na duhet ta marrim”, ka thënë ai në një konferencë për media në Toronto.

TikTok-u është kritikuar edhe në të kaluarën për përdorimin e informacionit personal, dhe për lidhjet me Qeverinë kineze.

Ky aplikacion i formatit me video të shkurtra është në pronësi të kompanisë kineze, ByteDance.

Punëtorëve federalë në Shtetet e Bashkuara u është ndaluar përdorimi i TikTok-ut vitin e kaluar.

Shtëpia e Bardhë ka thënë më 27 shkurt se agjencitë qeveritare kanë 30 ditë kohë për ta fshirë aplikacionin nga të gjitha sistemet.

Edhe një numër i universiteteve amerikane e kanë ndaluar përdorimin e aplikacionit prej rrjeteve të veta. Ndalesa më të mëdha publike janë zbatuar në Indi dhe në disa shtete aziatike.

Vetë zyrtarë të TikTok-ut insistojnë se Qeveria kineze nuk ka qasje në të dhëna, dhe se një version kinez i aplikacionit funksionon ndaras prej atij që përdoret në pjesën tjetër të botës.

Megjithatë, ata e kanë pranuar vitin e kaluar se një pjesë e stafit në Kinë mund të ketë qasje në të dhënat e përdoruesve në Evropë./ Radio Evropa e Lirë

Top Channel