Kanioni i Holtës, një nga bukuritë natyrore të Gramshit Kanioni i Holtës, një nga bukuritë natyrore të Gramshit vijon të jetë pika më e frekuentuar e zonës. Janë të shumtë turistët vendas apo të huaj që zgjedhin të kalojnë disa orë mes maleve dhe ujit të akullt që të ofron Kanioni i Holtës. Kanioni ka një gjatësi rreth 3 km. Vizitorët befasohen dhe mahniten me ngjyrën karakteristike të ujit, shpatet e thepisura 100 – 150 metra, flora dhe fauna që shtrihet përreth. Përmirësimi i infrastrukturës rrugore për të shkuar në Gramsh, ka bërë që vitet e fundit zona të vizitohet nga mijëra turistë për të kaluar fundjavat.

Kështu u shpreh sot, drejtuesi politik i Partisë Socialiste në qarkun e Elbasanit, Damian Gjiknuri, njëkohësisht Sekretar i Përgjithshëm i PS-së, ndërsa ndau një video me pamje nga kanioni i Holtës në Gramsh. “Me pamje fantastike të rrugës, ku djathtas të shoqëron liqeni artificial i krijuar se fundmi nga kaskada e lumit Devoll dhe majtas kodrat e malet vërtet mahnitëse të zonës.

Pa arritur në qytet ju jepet mundësia të ndaloni buzë liqenit, ndërsa për të gjithë aventurierët ju jepet mundësia të zgjidhni një vend me më shumë adrenalinë, vetëm pak kilometra pa hyrë në qytet në fshatin Drizë, mund të kthehesh në drejtim të kanionit të Holtës”, tha Gjiknuri. Sipas tij, “mes maleve dhe kodrave gjen restorante dhe pishinë”. Kanioni i Holtës të ofron një aventurë vërtetë të bukur. Brenda kanionit të freskët, gjen ujin e ngrohtë termal dhe banja me ujë të pastër./Egnatia news