Gjykata e Tiranës ka dënuar me 5 vite burgim Orges Bilbilin. Vendimi është dhënë dje nga gjyqtarja Shefkie Demiraj ndërsa ai u cilësua fajtor për armëmbajtje pa leje dhe kanosje për shkak të detyrës të punonjësit të policisë. Bilbili po gjykohet ndërkohë nga GJKKO bashkë me Anterio Kaloshin dhe Laert Haxhiun për masakrën e Lushnjës.

Kujtojmë se Orges Bilbili u bë shkak për një përplasje me armë më 10 prill të 2020, kur për pasojë mbeti i plagosur ai vetë dhe një vajzë 30 vjeçare.

Pasi nuk iu bind kërkesës së një efektivi të forcave “Shqiponja” për të treguar lejen e daljes meqë vendi ishte i mbyllur për shkak të pandemisë, Bilbili ka vrapuar duke i drejtuar pistoletën policit, i cili i bëri thirrje disa herë që të dorëzohej.

Duke parë refuzimin e tij si përballë rrezikut për jetën, polici ka qëlluar duke e plagosur Bilbilin në këmbë, ndërsa një plumb që ka bërë rikoshetë ka kapur edhe një vajzë që po kalonte aty pranë. Pas të shtënave ai mbeti i shtrirë në tokë, ndërsa pak sekonda më pas u arrestua nga efektivë të tjerë të policisë.

Revcontent