Kristjan Medolli, 21-vjeçari që u arratis nga Gjykata e Korçës është kapur nga policia.
Si ndodhi arratisja
Burime bëjnë me dije se i riu i cili mbahej në dhomat e paraburgimit të Drenovës u largua përmes tuneleve të gjykatës së Korçës. Ai është njohur me masën e sigurisë arrest me burg për akuzën e vjedhjes dhe ka qenë duke u shoqëruar për në makinën e policisë për t’u transportuar drejt dhomave të paraburgimit të Elbasanit. Në atë moment ai ka arritur të largohet me vrap duke dalë jashtë murit rrethues të gjykatës.
Nuk dihet nëse dera kryesore e garazhit apo edhe ajo e rrethimit të jashtëm kanë qenë të mbyllura ashtu siç procedohet në raste të tilla.
Njoftimi i policisë
Mesditën e sotme, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Korçë, nga salla ku po zhvillohej seanca gjyqësore, është larguar shtetasi K. M., 21 vjeç, banues në Qatrom, Korçë, (i arrestuar më datë 06.05.2022, për vjedhjen e një banese në fshatin Qatrom).
Nga ana e Policisë janë ngritur pika kontrolli me qëllim kapjen e këtij shtetasi. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.