Serbia nuk do të lejojë anëtarësinë e Kosovës në Këshillin e Evropës. Kështu u shpreh ministri i jashtëm i Serbisë, Nikola Selakovic duke shtuar se do të përdorin çdo mjetë diplomatik dhe politik për të parandaluar një gjë të tillë.

“Nuk është sekret që Prishtina ka përkrahjen e shumicës së shteteve anëtare të Këshillit të Evropës, por nuk i ka parimet në anën e saj për ta realizuar këtë. Kushdo që mendon se do të rrimë duarkryq nëse shkelen brutalisht marrëveshjet e Uashingtonit dhe Brukselit, gabon. Ne do të aktivizojmë çdo politikë të mundshme të mbrojtjes së interesave të shtetit të Serbisë dhe popullit serb në Kosovë” tha Nikola Selakoviç, ministri i Jashtëm i Serbisë.

Diplomati serb po ashtu nënvizoi se Beogradi po përballet me presione të mëdha për të njohur Kosovën si shtet të pavarur. Një ditë më parë Vuçiç deklaroi se kërkesa e Prishtinës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, do të pasohet me tërheqjen e njohjes nga shumë shtete të tjera.

Rusia, si pasojë e sulmeve në Ukrainë, është përjashtuar nga Këshilli i Evropës, duke i lehtësuar rrugën Kosovës për anëtarësimin në KiE, pasi Moska nuk mund ta bllokojë atë me Veto.